STRATEGJIA KOMBËTARE PËR ARSIMIN E LARTË ( SKALA) (2008-2013)

1. VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM DHE KUSHTET AKTUALE
1. Arsimi i Lartë (AL) dhe kërkimi shkencor në Shqipëri nuk janë akoma në standardet ndërkombëtare;progresi ka qenë disi zhgënjyes në 14 vitet e fundit. Ligji i ri për arsimin e lartë (2007) ka qenë një hapi rëndësishëm përpara për përmirësimin e sistemit, por shënon vetëm fillimin. Kjo strategji shtron synime dhe objektiva më afatgjatë për sistemin dhe paraqet politikat për prioritetet strategjike për vitet që pasojnë deri në vitin 2013.

2. Strategjia është në pajtueshmëri me prirjet kryesore të zhvillimit të AL në Evropë dhe në botë, dhe në veçanti, me procesin e Bolonjës; qëllimi i saj është të përmirësojë AL-në, që Shqipëria të zërë vendin që i takon brenda Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (HEAL).

3. Strategjia pasqyron vizionin e Qeverisë për politikat afatmesme dhe afatgjata në sferën e AL-së. Në të janë përfshirë sugjerimet e botës akademike dhe të grupeve të interesit brenda vendit si dhe të ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të Këshillit të Evropës. Strategjia përbën bazën e një plani veprimi me detyra të programuara për zbatim deri në vitin 2013.

4.
Kapitulli në vijim evidenton problemet kryesore të gjendjes aktuale duke i ndarë në tri çështje të mëdha: kuadri institucional, mësimdhënia dhe kurrikulat, aspektet financiare.

Kuadri institucional


5. Kuadri institucional aktual i AL-s nuk u përgjigjet zhvillimeve të kohës. Ligji i AL (2007) është hap i mirë drejt një sistemi modern. Zhvillimet e parashikuara në kuadrin e kësaj strategjie mund të kërkojnë edhe përmirësime për aspekte të veçanta të tij. Lidhur me kuadrin institucional vërehen disa mangësi të renditura më poshtë.

6.
Së pari, sistemi i AL-s nuk u përgjigjet ende mjaftueshëm nevojave të së ardhmes së shoqërisë dhe ekonomisë së vendit. Shumë aspekte të AL-s, dhe në veçanti niveli i mësimdhënies dhe kërkimit në institucionet e arsimit të lartë (IAL) nuk i janë përgjigjur dinamikës së ndryshimeve të shoqërisë shqiptare dhe prirjeve evropiane.

7. Së dyti, sistemi aktual është tepër homogjen dhe nuk inkurajon IAL-të të zhvillojnë misione të ndryshme. Baza ligjore lipset të jetë më elastike që të lejojë shumëllojshmërinë e misioneve.

8. Disa nga IAL-të jashtë Tiranës ende nuk luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit të tyre, dhe, nga ana tjetër nuk kanë nxitjen e nevojshme për të orientuar veprimtarinë e tyre në këtë drejtim. Për më tepër, disa prej tyre nuk kanë madhësinë e nevojshme për të operuar realisht me efikasitet si
IAL: çdo zgjerim i ardhshëm i sistemit normalisht do të bëhet nëpërmjet konsolidimit dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve ekzistuese dhe jo nëpërmjet krijimit të institucioneve të reja.

9. Së treti, mësimdhënia (në IAL) dhe kërkimi (në institutet kërkimore jashtë sistemit të arsimit të lartë, kryesisht në varësi të Akademisë së Shkencave) kanë qenë të ndarë nga njëri-tjetri. Reforma e sistemit të kërkimit shkencor, e ndërmarrë në fillim të vitit 2006, po përfundon duke përmbushur objektivin kryesor të saj, integrimin e kërkimit shkencor me arsimin e lartë. Me integrimin e instituteve kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe të rrjetit kërkimor jashtuniversitar janë integruar në universitetet e Tiranës, si rezultat i ndryshimit të kuadrit ligjor, Integrimi i kërkimit shkencor me arsimin e lartë pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së shkollimit universitar në të gjitha ciklet, kryesisht në atë të dytë dhe të tretë të studimeve universitare.

10.
Së katërti, përjashtuar formimin fillestar të mësuesve, ka tepër pak arsim të lartë të orientuar në drejtimin profesional: ka pak programe të tilla në ciklin e parë, në mënyrë të veçantë ka pak formime ose programe të arsimit të lartë jouniversitar. Kjo është një arsye më shumë që u ka vështirësuar IALve rajonale përmbushjen e rolit të tyre në mbështetje të ekonomive lokale.

11.
Së pesti, mungesa e aftësisë për t'iu përgjigjur nevojave dhe sfidave nuk është tërësisht përgjegjësi e IAL-ve, pasi ato nuk kanë gëzuar autonominë e nevojshme për të funksionuar efektivisht si institucione të shekullit XXI. Ligji i AL (2007) ndonëse është hap i rëndësishëm përpara në këtë drejtim, nuk arrin deri në autonomi të plotë, që do t'i shndërronte IAL-të tona nga shtetërore në publike. Një nga synimet themelore të strategjisë është që ato të shndërrohen realisht IAL publike. Ky transformim do të kërkojë përmirësime të mëtejshme të qeverisjes dhe menaxhimit të tyre, si dhe ndryshime në mekanizmat e sigurimit të llogaridhënies së brendshme dhe të jashtme.

12.
Së fundi, pranohet se Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka ende kapacitet të kufizuar analitik për të zhvilluar politikat strategjike për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.


Mësimdhënia dhe kurrikulat


13. Si metodat e mësimdhënies ashtu edhe përmbajtja e kurrikulave e shumicës së programeve universitare nuk përmbushin nevojat e së ardhmes së shoqërisë dhe ekonomisë. Përsa u përket metodave dhe stilit të mësimdhënies, ka një prirje që t'u jepet studentëve informacion i gatshëm duke iu kërkuar atyre më shumë riprodhimin e tij, në vend që të inkurajohet të menduarit kritik. Përsa i përket përmbajtjes së lëndëve që zhvillohen, ato janë shpesh të ngushta dhe tradicionale, që ndjekin një disiplinë dhe pa module e kredite, sikurse kërkohet nga procesi i Bolonjës. Ato lipset t'u japin studentëve alternativa zgjedhjesh dhe fleksibilitet në studime. Këto mangësi të formimit janë një nga arsyet që një numër i konsiderueshëm i studentëve zgjedhin për të studiuar jashtë shtetit, dhe vetëm pak prej tyre kthehen në atdhe.

14. Matura Shtetërore dhe përdorimi i saj si mekanizëm përmes të cilit nxënësit fitojnë të drejtën për të hyrë në IAL, ka pasur zhvillime të rëndësishme në vitet e fundit. Ky mekanizëm ka nevojë të pasurohet e të përsoset më tej, duke u bazuar edhe në modele të përparuara të vendeve të tjera. Hapat e mëtejshëm për zhvillimin e Maturës Shtetërore përcaktohen në planin e veprimit.

15. Për të pasur një mësimdhënie cilësore dhe me informacion të pasur, personeli akademik duhet të angazhohet në një punë të thelluar kërkimore dhe pedagogjike që t'i lejojë ndjekjen në vijimësi të zhvillimeve më të fundit në fushën përkatëse. Kjo veprimtari duhet dalluar nga "kërkimi shkencor" fondamental i mirëfilltë, i cili nënkupton përftim rezultatesh origjinale. Në një vend të vogël si Shqipëria, duke pasur parasysh edhe stadin aktual të zhvillimit, kërkimi shkencor fondamental kjo veprimtari mund të përballohet ose të ndërmerret nga një numër relativisht i kufizuar punonjësish akademikë. Për këtë kategori punonjësish, financimi i kërkimit shkencor do të realizohet përmes një procesi konkurrues. Për përparimin në karrierë akademike të personelit është i nevojshëm një kontribut kërkimor i mjaftueshëm, i konkretizuar në gradën shkencore "Master" dhe "Doktor", si dhe një përvojë e mjaftueshme në mësimdhënie. Raporti midis kontributit në kërkimin shkencor dhe atij në mësimdhënie mund të përshtatet në përputhje me këto kritere nuk duhet të jenë të njëjta për të gjitha IAL-të, por të pasqyrojnë misionet e ndryshme të IAL. Sidoqoftë, titullarët e lëndëve/moduleve që zhvillohen në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare duhet të kenë fituar gradën shkencore "Doktor".

16. Investimet për përmirësimin e mësimdhënies, në mënyrë të veçantë përsa i përket zbatimit të metodave bashkëkohore, kanë qenë të pamjaftueshme. Nuk ka ende një sistem të menaxhimit të performancës për personelin akademik, ndonëse ligji i AL (2007) e kërkon një gjë të tillë. Ngritja e këtij sistemi do të ndihmojë për të identifikuar pjesën e personelit akademik që përdor metoda të vjetra mësimdhënie dhe që duhet të përfitojë nga kualifikimet përditësuese në mësimdhënie.

17. Në përgatitjen fillestare të mësuesve, kurrikulat janë shpesh të tejngarkuara dhe nuk tregohet vëmendje se çfarë programesh e lëndësh janë të nevojshme për një mësues të suksesshëm. Nuk zhvillohen aq sa duhet praktika të mbikëqyrura për mësimdhënien. Pak vëmendje është treguar për trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve. Tashmë është hartuar një dokument i politikave për këtë qëllim dhe Instituti i Kurrikulava dhe i Trajnimit (IKT) do të jetë në rolin e koordinatorit për identifikimin e nevojave, hartimin e katalogut kombëtar të trajnimeve dhe akreditimin e programeve. Përmirësimi i trajnimit të vazhdueshëm të mësuesve do të ishte pa vlerë, nëse nuk do t'i kushtohej vëmendja e duhur ndryshimit të përgatitjes fillestare të mësuesve. Për të realizuar këtë ndryshim, strategjia përcakton rrugët e zbatimit dhe etapat.

18.
Sigurimi i cilësisë, si koncept dhe praktikë, është futur që në vitin 1999 me ngritjen e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL), e cila ka rritur rolin e saj dhe ka përmirësuar metodat e funksionimit. Por veprimtaria e saj nuk ka mbuluar të tre ciklet, në mënyrë të veçantë studimet me kohë të pjesshme, ndonëse në këto të fundit prurja e studentëve është dyfishuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Një situatë e tillë lipset të ndryshojë.

Çështjet financiare


19. IAL-të financohen kryesisht nga Buxheti i Shtetit, burime të cilat nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbështetur një përmirësim cilësor dhe zhvillimin sasior të tyre. Për më tepër, shpesh herë menaxhimi i këtyre burimeve ka lënë për të dëshiruar. Kapaciteti i disa prej ndërtesave, pajisjeve dhe bibliotekave, si dhe cilësia e shërbimit të ofruar prej tyre nuk është në standardet rajonale dhe sigurisht, jo në nivelet ndërkombët are, megjithëse është jorealiste të mendosh se ato do të sillen në këto nivele në një të shkurtër. Edhe nivelet e pagës së personelit janë më ulëta sesa duhej të ishin, gjë që detyron personelin akademik të përfshihet në veprimtari të tjera, mjaft herë në dëm të cilësisë së punës në IAL.

20.
Nevoja më urgjente dhe më e rëndësishme për investim është rritja e cilësisë së mësimdhënies përmes zhvillimit të personelit akademik në IAL, i cili do t'i përgjigjet më mirë kërkesave në rritje të studentëve.

21.
IAL-të nuk kanë pasur lirshmërinë e nevojshme për përdorimin e fondeve. Procedurat financiare kanë qenë të tilla që nuk i nxitnin IAL-të të gjeneronin më shumë të ardhura, pavarësisht disa përpjekjeve pozitive të bëra në këtë drejtim. Vetëm një pjesë e vogël e financimeve publike të alokuara IAL-ve llogariteshin mbi një bazë objektive, përjashtuar fondet për pagat. Për më tepër, metodat e përdorura për përcaktimin e këtyre financimeve nuk merrnin parasysh rezultatet dhe nivelet e IAL-ve. Me hyrjen në fuqi të ligjit AL (2007), IAL-ve u krijohet më shumë hapësirë për përdorimin efektiv dhe fleksibël të burimeve financiare. Rritja e mëtejshme e lirshmërisë së përdorimit të këtyre burimeve përbën një aspekt të rëndësishëm të zhvillimit të autonomisë institucionale, por ajo duhet të shkojë krahas fuqizimit të kapaciteteve menaxhuese dhe rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërinë në përdorimin e fondeve. Ky ligj, gjithashtu, parashikon edhe zhvillimin e një metodologjie të re për alokimin e fondeve.

22.
Tarifat e studimit të paguara nga studentët janë burimi tjetër i rëndësishëm i të ardhurave për IALtë, por strukturimi i niveleve të ndryshme të tarifave nuk ka qenë racional. Gjithashtu, ka pasur pak transparencë në përdorimin e këtyre të ardhurave, e cila natyrisht ka shqetësuar ata që paguajnë. Mekanizmi për të ndihmuar studentët me të ardhura të pakta ka qenë i konceptuar jo mirë dhe për rrjedhojë nuk ka mbështetur përherë ata, të cilët realisht kanë pasur këtë nevojë.


2. VIZIONI, PRIORITETET STRATEGJIKE DHE SYNIMET PËR ARSIMIN E LARTË

23. Ndonëse niveli aktual i arsimit të lartë dhe i kërkimit shkencor ka përmirësime në krahasim më të shkuarën, ai do të ishte i papranueshëm për të ardhmen. AL-ja dhe kërkimi shkencor duhet të evoluojnë, nëse Shqipëria dëshiron të ketë vendin e saj në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (HEAL). Shqipëria ka nevojë për qytetarë të formuar dhe edukuar më mirë, si edhe për një forcë pune më të aftë, me qëllim që të ndërtojë një shoqëri të së ardhmes, bazuar në dije. Për këto arsye, është vendosur që arsimi të jetë prioritet kryesor për shtatë vitet e ardhshme.

24.
Objektivat kryesore për AL mbështeten në Strategjinë e Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI). Ato përmblidhen si më poshtë:
- Zhvillimi i shoqërisë dhe promovimi i standardeve të demokracisë nëpërmjet edukimit të studentëve për një jetë qytetare aktive.
- Zhvillimi ekonomik i vendit në përgjithësi dhe atij rajonal në veçanti nëpërmjet formimit të një force pune të kualifikuar.
- Përmbushja e aspiratave të brezit të ri për zhvillim.
- Zhvillimi dhe konsolidimi i një baze të gjerë e të përshtatshme dijesh në shërbim të vendit.

25.
Për të përmbushur këto objektiva, duke u mbështetur në nevojat e shoqërisë, sistemi i AL-së do të krijojë, zhvillojë dhe transmetojë njohuritë nëpërmjet mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Ky i fundit, përveç vënies në shërbim të zhvillimit ekonomik e social të vendit, do të jetë edhe në funksion të përditësimit, dhe rifreskimit dhe zgjerimit të bazës teorike dhe praktike të kurrikulës së studimeve si të mësimit dhe ofrimit të shërbimeve.
Për realizimin e objektivave të mësipërm, dallohen pesë prioritete strategjike në shtatë vitet e ardhshme:
a) Zgjerimi i sistemit në mënyrë që të plotësohen nevojat e vendit në perspektivën e arritjes edhe të standardeve për integrimin në Bashkimin Evropian (BE) (në kuptimin e treguesve për shkollimin terciar të popullsisë), duke krijuar njëkohësisht mundësi për arsimim të lartë të të gjithë atyre që dëshirojnë të përfitojnë prej tij.
b) Sigurimi i shumëllojshmërisë së ofertave të formimit, në përputhje me nevojat e zhvillimit perspektiv të vendit.
c) Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe të përvetësimit të dijeve në sistemin e AL, nëpërmjet zhvillimit të vazhdueshëm të burimeve njerëzore dhe të kulturës së cilësisë.
d) Përmirësimi i mekanizmave të qeverisjes nëpërmjet zhvillimit të autonomisë së IAL-ve, përkundrejt rritjes së cilësisë së menaxhimit me llogaridhënie dhe transparencë, në mënyrë që ato të funksionojnë realisht si institucione publike.
e) Përshtatja e metodave dhe e niveleve të financimit, në mënyrë që të inkurajohet i tërë sistemi për arritjen e objektivave të përgjithshme.

26.
Objektivat dhe prioritetet strategjike kërkojnë investime të rëndësishme për AL-n dhe kërkimin shkencor. Këto shpenzime do të jenë rrjedhëse dhe për investime.

27.
Procesi i ndryshimit të një sistemi kompleks, si ai AL, do të kër kojë kohë dhe është kjo arsyeja, për të cilën strategjia shtrihet në një periudhë prej shtatë vitesh. Me zhvillimet në vijim, mund të nevojiten ndryshime në ligjin e AL (2007).

28.
Strategjia mbështetet mbi një analizë rigoroze të gjendjes aktuale të vendit; ajo merr gjithashtu në konsideratë zhvillimet ndërkombëtare. Kahu i propozimeve të saj është në përputhje me prirjet kryesore evropiane dhe globale në AL. Si e tillë, kjo strategji synon të mbartë mbështetjen e gjerë të aktorëve të AL dhe politikëbërësve, si brenda dhe jashtë vendit.

 

3. POLITIKAT PËR PRIORITETET STRATEGJIKE


3.1 Përmasat e sistemit të arsimit të lartë

29.
Për të realizuar objektivat e mësipërme, zhvillimi i Shqipërisë do të kërkojë një zgjerim të sistemit të AL me kohë të plotë. Ky zgjerim do të shoqërohet edhe me ndryshimin e formës aktuale të sistemit. Zgjerimi do të ketë kosto financiare dhe është me vlerë nëse kryhet duke e transformuar AL në një sistem modern dhe cilësor. Me një sistem të reformuar, kostot e zgjerimit do të jenë më shumë investim për të ardhmen sesa thjesht shpenzim. Strategjia parashtron zhvillimet e politikave - si për sistemin ashtu edhe për çdo IAL. Plani i veprimit do të përmbajë detaje për reformat që do të realizohen, si pjesë integrale e çdo zgjerimi.

30.
Niveli i zgjerimit të sistemit të AL duhet të jetë në përputhje me objektivin afatgjatë të integrimit të vendit në BE dhe me kërkesën. Dy aspekte të kërkesës merren në konsideratë: nevojat e ardhshme të tregut të punës dhe dëshirat e studentëve për të hyrë në sistemin e AL. Ndonëse nuk ka konstatime për kërkesa të paplotësuara për të diplomuarit nga AL në përgjithësi, por hasen nevoja të paplotësuara në veçanti. I tillë është rasti i vendeve të paplotësuara të punës për specialistë të IT-së në mbarë vendin dhe mësues në zona të largëta. Si një ekonomi në tranzicion, kushtet e tregut të punës në vend janë larg të qenit të stabilizuara dhe për pasojë duhet që zgjerimi i sistemit të jetë gradual dhe jo i menjëhershëm.

31.
Plani Kombëtar i Zhvillimit ka përcaktuar tre sektorë më prioritarë: Turizmin, industrinë agroushqimore dhe zhvillimin e eksporteve në përgjithësi. Këto prioritete do të pasqyrohen edhe në miratimin e kuotave në rritje të numrit të studentëve në IAL. Në vitin 2005-2006 vetëm 13 % e studentëve ndiqnin programe studimi në drejtime, si matematika, fizika, informatika dhe shkencat inxhinierike në përgjithësi. Ky raport, i krahasuar me 26%, që është mesatarja e vendeve të BE-së, sugjeron ndërmarrjen e një studimi për të gjykuar nëse duhen vendosur objektiva më të lartë pjesëmarrjeje në formimet e mësipërme, bazuar në nevojat e zhvillimit të vendit dhe përvojat analoge në rajon dhe më gjerë.

32.
Numri i të punësuarve në sektorin privat po rritet me shpejtësi. Një numër i madh të diplomuarish do të punësohen në të ardhmen në veprimtari të sektorit privat që sot mund të mos ekzistojnë - dhe ata duhet të jenë të përgatitur për t'u riorientuar profesionalisht dhe ripunësuar disa herë gjatë jetës së tyre. Përvoja e vendeve të tjera sugjeron dy konsiderata të rëndësishme lidhur me trajtimin e nevojave perspektive të tregut të punës. E para, është që të diplomuarit duhet të jenë të përgatitur me shprehi të përgjithshme dhe të transferueshme, si ato të analizës, të të menduarit, arsyetimit, paraqitjes dhe komunikimit. Tregu i punës në Shqipëri ndoshta ende nuk e koncepton plotësisht nevojën e një përgatitjeje të tillë, prandaj mund të kërkohen veprime aktive nga ana e qeverisë për të inkurajuar punëdhënësit që të njohin dhe t'u përgjigjen sfidave të së ardhmes. AL në Shqipëri aktualisht nuk kultivon si dhe sa duhet krijimin e shprehive të tilla, ndërkohë që prej tij pritet të luajë rolin udhëheqës në zhvillimin e një ekonomie dhe shoqërie të bazuar në dije. Për këtë do të kërkohen kurse dhe programe të reja formimi, por ajo që është më e rëndësishmja - ndryshime thelbësore në kurrikulat e studimeve universitare të ciklit të parë dhe të dytë.

33.
Konsiderata e dytë, që buron nga përvoja e vendeve të tjera, veçanërisht e atyre të Evropës Lindore dhe Qendrore, është se formimet 2-vjeçare pas shkollës së mesme, do të marrin një rëndësi më të madhe. Këto formime, që i përgjigjen një shkollimi të lartë jouniversitar, sigurojnë diploma profesionale, si dhe tituj të tjerë kualifikimi, me orientim të fortë nga tregu. Ato mund t'i japin një nxitje të rëndësishme zhvillimit të biznesit të vogël dhe industrive të reja, veçanërisht në nivel lokal. Aktualisht ka disa nisma pozitive në këtë drejtim, por shtrirja e tyre është tepër e kufizuar dhe përvoja e grumbulluar, e pakët.

34.
Zhvillimi i formimeve postsekondare 2-vjeçare duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat. Plani i veprimit parashikon që një grup i posaçëm pune të studiojë nevojat për diploma 2-vjeçare si dhe, mënyrën e organizimit të tyre. Zhvillimi i kurseve përkatëse pritet të kërkojë edhe motivimin financiar të IAL-ve për t'u përfshirë në një veprimtari të tillë. Në plani n e veprimit do të parashikohen fonde të posaçme për këtë qëllim, të cilat IAL-të do të mund t'i përftojnë nëpërmjet konkurrimit. Formimet jouniversitare duhen konsideruar si pjesë e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe duhen konceptuar në mënyrë të tillë, që të lejojnë studentët e suksesshëm të vazhdojnë (nëse dëshirojnë) ciklin e parë të formimit universitar, nëpërmjet transferimit të krediteve.

35.
Zgjerimi i AL është një prioritet që do të ndiqet në vijimësi, por pa cenuar cilësinë. Ky zgjerim nuk mund të jetë më i shpejtë se rritja e kontingjentit të përshtatshëm për shkollim të lartë, që kushtëzohet nga evolucioni i sistemit parauniversitar. Në vitin 2006-2007 u arrit që mbi 90% e atyre që përfunduan shkollën e mesme të regjistrohen në arsimin e lartë (pa përfshirë shkollimet jashtë vendit), por cilësia e një pjese të këtij kontingjenti linte mjaft për të dëshiruar. Objektivi, lidhur me arsimin e mesëm, është që në vitin 2015 pjesa më e madhe e kontingjentit të kësaj grupmoshe (rreth 80 %, kundrejt 53% në vitin 2006), të përfshihen në një formë ose tjetër të arsimit të mesëm, i cili do t'i nënshtrohet një reforme të thellë me synim kryesor, rritjen e cilësisë. Objektivi, lidhur me AL, është që deri në vitin 2017, mbi 85% e kontingjentit që përfundon shkollën e mesme, të hyjë në një nga drejtimet dhe ciklet e AL. Kjo nënkupton që numri i studentëve në të gjitha ciklet e studimeve tretësore (postsekondar, bachelor, master dhe doktoratë) dhe format e studimeve (kohë e plotë, kohë e pjesshme, edukim në distancë) në vitin 2013 të jetë mbi 120 000, krahasuar me rreth 91 000 aktualisht (gjendja korrik 2008). Ky zgjerim, me afro 30 000 studentë për një periudhë 5-vjeçare, është rrjedhojë e rritjes së pritshme vjetore të kontingjentit të nxënësve që përfundojnë me sukses shkollën e mesme, e cila është 2 - 3%, (ii) hapjes së studimeve të ciklit të dytë (master), dhe (iii) zgjerimit të AL privat.

36.
Ky objektiv zgjerimi është ambicioz dhe do të shqyrtohet më në detaje në planin e veprimit. Një pjesë e zgjerimit do të realizohet sigurisht në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të programeve universitare dhe kryesisht në IAL-të, që i ofrojnë të tre këto cikle; pjesa tjetër, që mendohet se do të jetë më e madhe, do t'u takojë formimeve të ndërmjetme apo jouniversitare (zakonisht 2-vjeçare). Këto, jo vetëm do të sigurojnë kualifikime me impakt të menjëhershëm më të madh për tregun e punës dhe me kurrikula që mund të përshtaten sipas nevojave lokale, por do të jenë edhe me kosto më të ulët, krahasuar me një cikël të parë të plotë. IAL-të me orientim rajonal janë mjedisi më i përshtatshëm për krijimin dhe zhvillimin e formimeve të tilla që përfshijnë edhe trajnime/ritrajnime në funksion të nevojave të sektorit privat në rajon dhe tregut të punës. Ofrues të tjerë potencialë diplomash të tilla do të jenë, nëse plotësojnë kushtet e akreditimit, edhe institucionet private, me tarifa që paguhen nga vetë studentët ose që sponsorizohen nga punëdhënësit.

37.
Rritja e numrit të studentëve duhet të shkojë krahas rritjes së kapacitetit të sistemit për të ofruar një shërbim që respekton standardet. Për këtë duhet të sigurohet, së pari, numri i nevojshëm i personelit akademik me kualifikim të përshtatshëm. Raporti aktual student/personel akademik (mesatarisht rreth 26 në fund të vitit 2007) ishte ende larg mesatares së BE (20), në të cilën nuk përfshihet personeli kërkimor, i cili është kryesisht grupi i studentëve të doktoratës, i cili edhe pse nuk ka ngarkesë mësimore të planifikuar mbështet profesorët dhe docentët në seancat mësimore si ushtrime, laboratorë dhe seminare. Ky raport duhet të përmirësohet krahas rritjes së numrit të studentëve në sistemin e AL. Mbi këtë bazë, shtesa prej rreth 30 000 studentësh në 5 vjet, do të kërkojë shtesë vjetore të personelit mësimdhënës, në AL publike dhe private, prej rreth 2000 veta, pa llogaritur këtu edhe nevojën për zëvendësimin e atyre që largohen apo dalin në pension. Vetëm në vitin 2008 në sistemin e AL publik u shtuan 583 vende të reja pune për personel mësimor kërkimor. Përveç këtyre sistemit iu shtuan edhe rreth 400 punonjës të tjerë kërkimorë - mësimorë si rrjedhojë e zbatimit të reformës së integrimit të instituteve kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe ministrive të linjës në sistemin e AL. Rruga kryesore për zgjidhjen e problemit të personelit do të jetë punësimi i pedagogëve të rinj, duke synuar në veçanti tërheqjen e kontingjentit cilësor të të shkolluarve dhe të të kualifikuarve jashtë vendit nëpërmjet mekanizmave motivues. Në funksion të kësaj të fundit qeveria ka ndërmarrë, që në vitin 2006, programin afatgjatë Brain Gain, i cili parashikon një paketë nxitëse që lehtëson kthimin e përhershëm ose të përkohshëm të kandidatëve që kanë përfunduar me rezultate mbi mesatare, studimet e masterit ose doktoratës në shkolla të larta të huaja të akredituara.

38.
Shumica e personelit të ri akademik, të kërkuar nga zgjerimi i sistemit (personelit shtesë), do të përqendr ohet në rolin mësimdhënës, kryesisht në ciklin e parë dhe në programet e ndërmjetme jouniversitare. Për këtë kërkohet një kualifikim në nivelin Master dhe doktorata (PhD). Plani i veprimit parashikon zhvillimin e një procesi monitorues, i cili:
- do të përcaktojë nevojat për personel të ri;
- do të vlerësojë shkallën në të cilën këto nevoja do të plotësohen nga integrimi i instituteve kërkimore në AL;
- do të verifikojë nëse konceptimi i programeve të reja Master, potencialisht të aftë për të furnizuar këtë shtesë personeli akademik, siguron fleksibilitetin e nevojshëm për t'iu përgjigjur nevojave në momentin që ato shfaqen.

39.
Rritja e nivelit të mësimdhënies në IAL-të nuk është thjesht çështje numrash; ajo kushtëzohet në radhë të parë prej faktit se janë ende të pakët pedagogët që operojnë me metoda që zhvillojnë tek studentët ato shprehi dhe kompetenca, që u duhen atyre për të ardhmen. Ndryshimi i stilit dhe metodave të mësimdhënies kërkon një investim madhor në zhvillimin e personelit akademik ekzistues, duke përfshirë, së pari pedagogët e vjetër; po ashtu i domosdoshëm është edhe trajnimi i personelit të ri. Për shumë nga personeli ekzistues, do të nevojitet një investim më vete, që do të jetë i kushtueshëm, por duke e konsideruar zhvillimin e burimeve njerëzore si një prioritet të lartë, atij do t'i kushtohet një mbështetje e veçantë financiare. Për të mbështetur zhvillimin e shpejtë të burimeve njerëzore në AL qeveria ka filluar të zbatojë që në vitin 2007 një program ta veçantë të emërtuar "Fondi i Ekselencës", i cili ofron bursa për personelin e ri akademik që dëshiron të kryejë një pjesë ose të gjitha studimet e doktoratës dhe postdoktoratës në universitetet e huaja, të njohura. Ky program mbështet edhe studentët shqiptarë që kryejnë studimet e nivelit master në një nga 10 universitetet më të mira të botës.

40.
Aspekti i dytë, lidhur me zgjerimin e sistemit, ka të bëjë me burimet fizike të ndërtesave dhe pajisjeve. Aktualisht, mjediset e IAL-ve përdoren përgjithësisht jo në mënyrë efektive gjatë javës, dhe gjatë vitit; një përdorim në një shkallë më të lartë i mjediseve dhe pajisjeve në orët e pasdites dhe gjatë fundjavës, do të rriste mundësinë e sistemit për zgjerim. Disa fakultete brenda një IAL-je kanë mungesë hapësire dhe të tjerë e kanë atë me tepri; të gjitha fakultetet duhet të pranojnë se ndërtesat dhe klasat i përkasin IAL-së në tërësi dhe jo fakulteteve të veçanta, pavarësisht origjinës së financimit të tyre. Një organizim më racional i shfrytëzimit të mjediseve do të lejonte rritjen e numrit të studentëve edhe pa zgjerime ekuivalente të hapësirës në dispozicion të IAL-ve. Shifra të detajuara në këtë drejtim nuk ka dhe plani i veprimit parashikon një studim urgjent lidhur me përdorimin dhe kushtet e mjediseve dhe të infrastrukturës së IAL-ve.

41.
I njëjti problem shtrohet edhe për përdorimin e pajisjeve, megjithëse duhet pranuar se mungesa e pajisjeve të përshtatshme për mësimdhënie moderne është evidente. Përsëri, nuk disponohet informacion i detajuar për shkallën e shfrytëzimit të pajisjeve ekzistuese dhe as për përmasat e mungesave. Studimi i mësipërm, do të shqyrtojë rrugët e rritjes së efektivitetit të përdorimit të pajisjeve dhe do të bëjë një vlerësim realist të asaj që nevojitet për të sjellë standardin e tyre në nivel të pranueshëm për një perspektivë 10-vjeçare. Ky studim do t'u referohet edhe gjendjes dhe përvojave analoge të vendeve të tjera evropiane me kushte ekonomike të afërta me ato të Shqipërisë. Përmirësimi i nivelit të pajisjeve do të ketë si synim prioritar modernizimin e metodave të mësimdhënies dhe në përgjithësi rritjen e cilësisë së procesit mësimor, pa përjashtuar edhe zhvillimin e kërkimit shkencor, kur kjo është e mundur.

42.
E treta, e cila është thelbësore, ka të bëjë me përshtatshmërinë e mbështetjes financiare në të ardhmen. Qeveria është e angazhuar të dyfishojë fondet publike për arsimin në 5 vitet e ardhshme. Parashikohet që AL-ja të ruajë përqindjen aktuale në buxhetin total të arsimit, por ajo të jetë kryesisht për kostot rrjedhëse dhe jo për investime kapitale. Mbështetja financiare nga burime të tjera, përfshirë kontribute private dhe ndihmë nga agjenci shumëpalëshe apo dypalëshe, është një nga mundësitë që do të shfrytëzohet. Plani i veprimit do të bashkërendojë mundësitë e financimit nga burime të ndryshme.

43. Pavarësisht kufizimeve, mendohet se objektivi për zgjerimin e sistemit të arsimit të lartë mund të realizohet pa prekur cilësinë e tij.

44.
Zgjerimi i sistemit, nuk do të bëhet me krijimin e institucioneve të reja të AL publike, por me zgjerimin e atyre ekzistuese, në mënyrë të veçantë ato rajonale. Pjesa më e madhe e zgjerimit do të jetë për formimet e larta jouniversitare dhe të ciklit të parë të studimeve, në varësi edhe të rezultateve e përfundimeve që do të arrijë grupi i punës për diplomat. Në të njëjtën kohë, synohet të zgjerohet llojshmëria e lëndëve, e cila aktualisht është e ngushtë, në mënyrë që nga njëra anë të sigurohet një formim më i plotë për studentët dhe nga ana tjetër të ofrohen më shumë mundësi zgjedhjeje të kombinimeve të lëndëve.

45.
E ardhmja e studentëve me kohë të pjesshme është e paqartë. Aktualisht shumë nga ata që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin studimet me kohë të pjesshme, pasi rezultatet e tyre kanë qenë të pamjaftueshme për të fituar studimet me kohë të plotë në degët që kanë synuar. Ndonëse kjo përmbush një pjesë të kërkesës, ky nuk është qëllimi kryesor për këtë formë studimi, i cili duhet të jetë për ata studentë që nuk kanë mundësi reale për të ndjekur studimet me kohë të plotë (p.sh. për ata që janë të punësuar). Ekzistojnë edhe shqetësime të tjera në lidhje me formën e organizimit të studimeve me kohë të pjesshme. Së pari, standardet e hyrjes për studentët me kohë të pjesshme duhet të jenë të barasvlershme me ato të studentëve me kohë të plotë, përndryshe standardet e AL në tërësi do të pësojnë rënie. Nëse maturantët do të jenë të formuar për të ndjekur studimet e larta, sistemi duhet të jetë në gjendje t'i pranojë me kohë të plotë; nëse nuk i plotësojnë këto standarde, atëherë në asnjë mënyrë ata nuk duhen pranuar. Së dyti, vlera e arsimimit me kohë të pjesshme merret e barasvlershme me atë me kohë të plotë, ndërkohë që numri i orëve të studimeve është vetëm sa dy të tretat. Së treti, tarifat që paguhen nga studentët me kohë të pjesshme sigurojnë një të ardhur shtesë të konsiderueshme për personelin akademik, dhe kjo përbën rrezik për të shmangur vëmendjen e tyre nga mësimi te studentët me kohë të plotë.

46.
Sistemi i studimeve me kohë të pjesshme është tepër i vlefshëm për ata që mund ta ndjekin vetëm këtë formë studimi, p.sh. për shkak të marrëdhënieve të punës ose angazhimeve familjare. Studentë të tillë sigurisht ka dhe do të ketë më shumë kur të nxënit gjatë gjithë jetës do të bëhet veprimtari normale e një ekonomie në rritje. Qëllimi kryesor për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme është që t'u shërbejë nevojave të këtyre studentëve dhe punëdhënësve të tyre. Shumë nga këta studentë do të jenë në moshë më të madhe, dhe, kjo formë studimi duhet rregulluar në përshtatje me nevojat e tyre, p.sh. kurse të shkurtra formimi për të nxënit gjatë gjithë jetës. Sistemi i studimeve me kohë të pjesshme nuk duhet të shërbejë si alternativë për maturantët që nuk plotësojnë kriteret për t'u regjistruar në studimet me kohë të plotë. Efekti i këtij ndryshimi do të jetë zvogëlimi në mënyrë të ndjeshme i numrit të studentëve me kohë të pjesshme, që do të çojë në zvogëlimin e të ardhurave për IAL dhe për personelin akademik. Politika për këtë formë studimi duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë për "të nxënit gjatë gjithë jetës", përfshirë "mundësitë e hapura". Këto çështje janë komplekse dhe plani i veprimit parashikon ngritjen e një grupi pune për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, i cili të analizojë gjendjen dhe të përgatisë rekomandimet e duhura.

47.
Në kuadrin e zgjerimit të sistemit, do të ketë rritje edhe në institucionet private, krahasuar me totalin aktual prej afro 10 000 studentësh (gjendja korrik 2008). Roli i tyre në plotësimin e nevojave të shoqërisë për arsim të lartë do të vijë duke u fuqizuar. APAAL-i do të vazhdojë të aplikojë një sistem rigoroz të sigurimit të cilësisë për IAL-të private, për të mbrojtur interesat e studentëve të tyre dhe për të garantuar që ato të veprojnë brenda një kuadri me standarde të qarta. Gjithashtu, për të mbrojtur interesat e studentëve në IAL-të publike, do të forcohet kërkesa aktuale që personeli i tyre akademik të japë eventualisht mësim në IAL-të private, vetëm brenda rregullave të institucionit publik. Strategjia përshkohet nga ideja se pavarësisht rritjes së numrit të studentëve në IAL-të private, kërkesa për arsim të lartë do të mbulohet kryesisht, edhe në të ardhmen, nga IAL-të publike. Arsimi i lartë është dhe do të mbetet përgjegjësi publike.

48.
Zgjerimi i ndjeshëm i sistemit përkon me zhvillimin e vazhdueshëm të Maturës Shtetërore, si mjet nëpërmjet së cilës sigurohet hyrja në IAL. Plani i veprimit do të përmbajë hapat dhe procedurat për Maturën Shtetërore, duke punuar me Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve (AVA). Synimi kryesor për zhvillimin e Maturës Shtetërore është që të bëhet një provim më i plotë, të paktën për lëndët bazë, të hartuara dhe administruara në mënyrë të centralizuar. Matura Shtetërore do të ketë një bërthamë me lëndë të detyrueshme në dy nivele. Për lëndët me zgjedhje synohet në zgjerimin e llojshmërisë së tyre, të cilat, po ashtu do të zhvillohen në dy nivele.

49.
Me një bazë lëndësh formuese për Maturën Shtetërore, do të bëhet e mundur të zhvillohet një sistem i kompjuterizuar për shpërndarjen e studentëve në IAL-të (sikurse bëhet në vende të tjera evropiane). Ky sistem do të orientohet nga pragu i hyrjes, bazuar në lëndët e përcaktuara nga fakultetet dhe do të marrë për bazë preferencat e studentëve dhe rezultatet e provimeve. Plani i veprimit para shikon ngritjen e një organi të ri: Agjencia për Pranimet në Institucionet e Arsimit të Lartë (APIAL). Matura Shtetërore e plotë, së bashku me sistemin e ri të pranimeve në IAL-të, është planifikuar të realizohet deri në vitin 2010.

50.
Me qëllim që të ndihmohen studentët të bëjnë zgjedhjet e tyre për kurset e studimeve të arsimit të lartë, nga IAL-të do të kërkohet të përgatisin një Prospectus, posaçërisht për kandidatët e mundshëm. Sidoqoftë ky Prospectus nuk do jetë i mjaftueshëm për kandidatët që të bëjnë zgjedhjet për të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, plani i veprimit përfshin ngritjen e një grupi për karrierën, i cili do të ndihmojë kandidatët të orientohen për të ardhmen e tyre. Ky grup do të japë edhe sugjerime për përmbajtjen e Prospectus-it që do përgatisin IAL-të. Anëtarët e grupit për karrierën do të përfshijnë interesat e shkollës, të AL dhe punëdhënësve.

3.2. Misionet e diferencuara të IAL-ve: Mësimi, shërbimet dhe kërkimi shkencor

51. Aktualisht sistemi i AL-ve funksionon sikur të gjitha IAL-të të ishin të njëjta, por në fakt, ka dhe duhet të ketë dallime të rëndësishme mes tyre. Diferencimi i misioneve të IAL-ve është domosdoshmëri. Ai duhet të jetë i tillë që çdo IAL t'i shërbejë më efektivisht nevojave të vendit. Ky diferencim do të ketë implikimet e veta në strukturën dhe funksionet e tyre.


Diferencimi i misioneve


52. Mësimi në IAL-të rajonale do të vazhdojë të orientohet me përparësi drejt formimeve profesionale, në veçanti të mësuesve për sistemin e arsimit bazë, specialistëve të IT, si dhe të infermierëve, punonjësve socialë, menaxherëve, asistentëve ligjorë etj. Këto formime do të realizohen me kurse të ciklit të parë universitar, me përjashtime të mundshme për mësuesinë. Kuadri i Bolonjës nuk i pengon IAL-të rajonale të ofrojnë vetëm ciklin e parë, kur nuk ekzistojnë kushtet apo nevojat për të zhvilluar të tre ciklet. Ndërkohë, ato do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në ngritjen dhe konsolidimin e programeve postsekondare 2-vjeçare. Të tre ciklet e studimeve universitare do të ofrohen vetëm nga ato IAL, në Tiranë apo në rrethe, që përmbushin standardet.

53.
Strategjia nuk synon të kufizojë IAL-të rajonale vetëm në ofrimin e ciklit të parë. Ky pozicion nuk është i ngurtë, si për studentët, ashtu edhe për këto institucione. Për studentët e IAL-ve rajonale, nëpërmjet bashkëpunimit me IAL-të që i ofrojnë të tre ciklet (aktualisht, tre universitetet kryesore në Tiranë), do të mundësohet hyrja në programet e ciklit të dytë dhe të tretë, me kusht, gjithmonë që ata (studentët) të plotësojnë kriteret e vendosura për këtë qëllim. Në fakt, kjo transferueshmëri është një nga objektivat kryesore të Procesit të Bolonjës. Ligji i AL (2007) e bën të qartë, që IAL-të rajonale do të kenë mundësi për të ofruar ciklin e 2-të ose edhe të 3-të në një fushë apo drejtim të caktuar, në rast se provojnë se kanë plotësuar kriteret kombëtare për atë fushë apo drejtim. Kriteret përcaktohen nga KALSH-i, bazuar në rekomandimet e APAAL-it dhe verifikohen nga kjo e fundit


54.
Është e pritshme që IAL-të rajonale (pa përjashtuar edhe ato private), të jenë në pararojë të zhvillimit të programeve postsekondare 2-vjeçare dhe të jenë ofruesit kryesorë të diplomave të tyre. IAL-të rajonale do të bëhen në këtë mënyrë edhe përfituesit kryesorë të fondeve për zhvillim, që do të akordohen nga qeveria, pikërisht, për këtë qëllim. Ato do të përfitojnë nga tarifat e shkollimit në këto programe, duke rritur në këtë mënyrë të ardhurat e tyre. APAAL do të zhvillojë kritere të veçanta për sigu