NJOFTIME

Njoftim

Njoftim Njoftim për aplikim për ekspert të vlerësimit në APAAL. Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë shpall konku... Read more...

Call for experts

The Public Agency for Accreditation of Higher Education and the Council of Accreditation are public institutions respons... Read more...

Njoftim për shpallje fituesi

Njoftim për shpallje fituesi Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, APAAL, në vijim të procedurave për zhvillimin e projektit “Implement... Read more...

Thirrje per eksperte IT

Agjencia Publike e Akreditimit te Arsimit te Larte, kerkon te punesoje me kontrate 1 mujore nje ekspert IT, me njohuri s... Read more...

Raporti vjetor APAAL 2012

APAAL ka publikuar raportin vjetor 2012.Për më shumë informacion klikoni Read more...
Previous
Next
  • Njoftim

    Njoftim

  • Call for experts

  • Njoftim për shpallje fituesi

    Njoftim për shpallje fituesi

  • Thirrje per eksperte IT

  • Raporti vjetor APAAL 2012

  • Articles View Hits : 1146040

STRATEGJIA KOMBËTARE PËR ARSIMIN E LARTË ( SKALA) (2008-2013)

1. VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM DHE KUSHTET AKTUALE
1. Arsimi i Lartë (AL) dhe kërkimi shkencor në Shqipëri nuk janë akoma në standardet ndërkombëtare;progresi ka qenë disi zhgënjyes në 14 vitet e fundit. Ligji i ri për arsimin e lartë (2007) ka qenë një hapi rëndësishëm përpara për përmirësimin e sistemit, por shënon vetëm fillimin. Kjo strategji shtron synime dhe objektiva më afatgjatë për sistemin dhe paraqet politikat për prioritetet strategjike për vitet që pasojnë deri në vitin 2013.

2. Strategjia është në pajtueshmëri me prirjet kryesore të zhvillimit të AL në Evropë dhe në botë, dhe në veçanti, me procesin e Bolonjës; qëllimi i saj është të përmirësojë AL-në, që Shqipëria të zërë vendin që i takon brenda Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (HEAL).

3. Strategjia pasqyron vizionin e Qeverisë për politikat afatmesme dhe afatgjata në sferën e AL-së. Në të janë përfshirë sugjerimet e botës akademike dhe të grupeve të interesit brenda vendit si dhe të ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të Këshillit të Evropës. Strategjia përbën bazën e një plani veprimi me detyra të programuara për zbatim deri në vitin 2013.

4.
Kapitulli në vijim evidenton problemet kryesore të gjendjes aktuale duke i ndarë në tri çështje të mëdha: kuadri institucional, mësimdhënia dhe kurrikulat, aspektet financiare.

Kuadri institucional


5. Kuadri institucional aktual i AL-s nuk u përgjigjet zhvillimeve të kohës. Ligji i AL (2007) është hap i mirë drejt një sistemi modern. Zhvillimet e parashikuara në kuadrin e kësaj strategjie mund të kërkojnë edhe përmirësime për aspekte të veçanta të tij. Lidhur me kuadrin institucional vërehen disa mangësi të renditura më poshtë.

6.
Së pari, sistemi i AL-s nuk u përgjigjet ende mjaftueshëm nevojave të së ardhmes së shoqërisë dhe ekonomisë së vendit. Shumë aspekte të AL-s, dhe në veçanti niveli i mësimdhënies dhe kërkimit në institucionet e arsimit të lartë (IAL) nuk i janë përgjigjur dinamikës së ndryshimeve të shoqërisë shqiptare dhe prirjeve evropiane.

7. Së dyti, sistemi aktual është tepër homogjen dhe nuk inkurajon IAL-të të zhvillojnë misione të ndryshme. Baza ligjore lipset të jetë më elastike që të lejojë shumëllojshmërinë e misioneve.

8. Disa nga IAL-të jashtë Tiranës ende nuk luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit të tyre, dhe, nga ana tjetër nuk kanë nxitjen e nevojshme për të orientuar veprimtarinë e tyre në këtë drejtim. Për më tepër, disa prej tyre nuk kanë madhësinë e nevojshme për të operuar realisht me efikasitet si
IAL: çdo zgjerim i ardhshëm i sistemit normalisht do të bëhet nëpërmjet konsolidimit dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve ekzistuese dhe jo nëpërmjet krijimit të institucioneve të reja.

9. Së treti, mësimdhënia (në IAL) dhe kërkimi (në institutet kërkimore jashtë sistemit të arsimit të lartë, kryesisht në varësi të Akademisë së Shkencave) kanë qenë të ndarë nga njëri-tjetri. Reforma e sistemit të kërkimit shkencor, e ndërmarrë në fillim të vitit 2006, po përfundon duke përmbushur objektivin kryesor të saj, integrimin e kërkimit shkencor me arsimin e lartë. Me integrimin e instituteve kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe të rrjetit kërkimor jashtuniversitar janë integruar në universitetet e Tiranës, si rezultat i ndryshimit të kuadrit ligjor, Integrimi i kërkimit shkencor me arsimin e lartë pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së shkollimit universitar në të gjitha ciklet, kryesisht në atë të dytë dhe të tretë të studimeve universitare.

10.
Së katërti, përjashtuar formimin fillestar të mësuesve, ka tepër pak arsim të lartë të orientuar në drejtimin profesional: ka pak programe të tilla në ciklin e parë, në mënyrë të veçantë ka pak formime ose programe të arsimit të lartë jouniversitar. Kjo është një arsye më shumë që u ka vështirësuar IALve rajonale përmbushjen e rolit të tyre në mbështetje të ekonomive lokale.

11.
Së pesti, mungesa e aftësisë për t'iu përgjigjur nevojave dhe sfidave nuk është tërësisht përgjegjësi e IAL-ve, pasi ato nuk kanë gëzuar autonominë e nevojshme për të funksionuar efektivisht si institucione të shekullit XXI. Ligji i AL (2007) ndonëse është hap i rëndësishëm përpara në këtë drejtim, nuk arrin deri në autonomi të plotë, që do t'i shndërronte IAL-të tona nga shtetërore në publike. Një nga synimet themelore të strategjisë është që ato të shndërrohen realisht IAL publike. Ky transformim do të kërkojë përmirësime të mëtejshme të qeverisjes dhe menaxhimit të tyre, si dhe ndryshime në mekanizmat e sigurimit të llogaridhënies së brendshme dhe të jashtme.

12.
Së fundi, pranohet se Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka ende kapacitet të kufizuar analitik për të zhvilluar politikat strategjike për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.


Mësimdhënia dhe kurrikulat


13. Si metodat e mësimdhënies ashtu edhe përmbajtja e kurrikulave e shumicës së programeve universitare nuk përmbushin nevojat e së ardhmes së shoqërisë dhe ekonomisë. Përsa u përket metodave dhe stilit të mësimdhënies, ka një prirje që t'u jepet studentëve informacion i gatshëm duke iu kërkuar atyre më shumë riprodhimin e tij, në vend që të inkurajohet të menduarit kritik. Përsa i përket përmbajtjes së lëndëve që zhvillohen, ato janë shpesh të ngushta dhe tradicionale, që ndjekin një disiplinë dhe pa module e kredite, sikurse kërkohet nga procesi i Bolonjës. Ato lipset t'u japin studentëve alternativa zgjedhjesh dhe fleksibilitet në studime. Këto mangësi të formimit janë një nga arsyet që një numër i konsiderueshëm i studentëve zgjedhin për të studiuar jashtë shtetit, dhe vetëm pak prej tyre kthehen në atdhe.

14. Matura Shtetërore dhe përdorimi i saj si mekanizëm përmes të cilit nxënësit fitojnë të drejtën për të hyrë në IAL, ka pasur zhvillime të rëndësishme në vitet e fundit. Ky mekanizëm ka nevojë të pasurohet e të përsoset më tej, duke u bazuar edhe në modele të përparuara të vendeve të tjera. Hapat e mëtejshëm për zhvillimin e Maturës Shtetërore përcaktohen në planin e veprimit.

15. Për të pasur një mësimdhënie cilësore dhe me informacion të pasur, personeli akademik duhet të angazhohet në një punë të thelluar kërkimore dhe pedagogjike që t'i lejojë ndjekjen në vijimësi të zhvillimeve më të fundit në fushën përkatëse. Kjo veprimtari duhet dalluar nga "kërkimi shkencor" fondamental i mirëfilltë, i cili nënkupton përftim rezultatesh origjinale. Në një vend të vogël si Shqipëria, duke pasur parasysh edhe stadin aktual të zhvillimit, kërkimi shkencor fondamental kjo veprimtari mund të përballohet ose të ndërmerret nga një numër relativisht i kufizuar punonjësish akademikë. Për këtë kategori punonjësish, financimi i kërkimit shkencor do të realizohet përmes një procesi konkurrues. Për përparimin në karrierë akademike të personelit është i nevojshëm një kontribut kërkimor i mjaftueshëm, i konkretizuar në gradën shkencore "Master" dhe "Doktor", si dhe një përvojë e mjaftueshme në mësimdhënie. Raporti midis kontributit në kërkimin shkencor dhe atij në mësimdhënie mund të përshtatet në përputhje me këto kritere nuk duhet të jenë të njëjta për të gjitha IAL-të, por të pasqyrojnë misionet e ndryshme të IAL. Sidoqoftë, titullarët e lëndëve/moduleve që zhvillohen në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare duhet të kenë fituar gradën shkencore "Doktor".

16. Investimet për përmirësimin e mësimdhënies, në mënyrë të veçantë përsa i përket zbatimit të metodave bashkëkohore, kanë qenë të pamjaftueshme. Nuk ka ende një sistem të menaxhimit të performancës për personelin akademik, ndonëse ligji i AL (2007) e kërkon një gjë të tillë. Ngritja e këtij sistemi do të ndihmojë për të identifikuar pjesën e personelit akademik që përdor metoda të vjetra mësimdhënie dhe që duhet të përfitojë nga kualifikimet përditësuese në mësimdhënie.

17. Në përgatitjen fillestare të mësuesve, kurrikulat janë shpesh të tejngarkuara dhe nuk tregohet vëmendje se çfarë programesh e lëndësh janë të nevojshme për një mësues të suksesshëm. Nuk zhvillohen aq sa duhet praktika të mbikëqyrura për mësimdhënien. Pak vëmendje është treguar për trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve. Tashmë është hartuar një dokument i politikave për këtë qëllim dhe Instituti i Kurrikulava dhe i Trajnimit (IKT) do të jetë në rolin e koordinatorit për identifikimin e nevojave, hartimin e katalogut kombëtar të trajnimeve dhe akreditimin e programeve. Përmirësimi i trajnimit të vazhdueshëm të mësuesve do të ishte pa vlerë, nëse nuk do t'i kushtohej vëmendja e duhur ndryshimit të përgatitjes fillestare të mësuesve. Për të realizuar këtë ndryshim, strategjia përcakton rrugët e zbatimit dhe etapat.

18.
Sigurimi i cilësisë, si koncept dhe praktikë, është futur që në vitin 1999 me ngritjen e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL), e cila ka rritur rolin e saj dhe ka përmirësuar metodat e funksionimit. Por veprimtaria e saj nuk ka mbuluar të tre ciklet, në mënyrë të veçantë studimet me kohë të pjesshme, ndonëse në këto të fundit prurja e studentëve është dyfishuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Një situatë e tillë lipset të ndryshojë.

Çështjet financiare


19. IAL-të financohen kryesisht nga Buxheti i Shtetit, burime të cilat nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbështetur një përmirësim cilësor dhe zhvillimin sasior të tyre. Për më tepër, shpesh herë menaxhimi i këtyre burimeve ka lënë për të dëshiruar. Kapaciteti i disa prej ndërtesave, pajisjeve dhe bibliotekave, si dhe cilësia e shërbimit të ofruar prej tyre nuk është në standardet rajonale dhe sigurisht, jo në nivelet ndërkombët are, megjithëse është jorealiste të mendosh se ato do të sillen në këto nivele në një të shkurtër. Edhe nivelet e pagës së personelit janë më ulëta sesa duhej të ishin, gjë që detyron personelin akademik të përfshihet në veprimtari të tjera, mjaft herë në dëm të cilësisë së punës në IAL.

20.
Nevoja më urgjente dhe më e rëndësishme për investim është rritja e cilësisë së mësimdhënies përmes zhvillimit të personelit akademik në IAL, i cili do t'i përgjigjet më mirë kërkesave në rritje të studentëve.

21.
IAL-të nuk kanë pasur lirshmërinë e nevojshme për përdorimin e fondeve. Procedurat financiare kanë qenë të tilla që nuk i nxitnin IAL-të të gjeneronin më shumë të ardhura, pavarësisht disa përpjekjeve pozitive të bëra në këtë drejtim. Vetëm një pjesë e vogël e financimeve publike të alokuara IAL-ve llogariteshin mbi një bazë objektive, përjashtuar fondet për pagat. Për më tepër, metodat e përdorura për përcaktimin e këtyre financimeve nuk merrnin parasysh rezultatet dhe nivelet e IAL-ve. Me hyrjen në fuqi të ligjit AL (2007), IAL-ve u krijohet më shumë hapësirë për përdorimin efektiv dhe fleksibël të burimeve financiare. Rritja e mëtejshme e lirshmërisë së përdorimit të këtyre burimeve përbën një aspekt të rëndësishëm të zhvillimit të autonomisë institucionale, por ajo duhet të shkojë krahas fuqizimit të kapaciteteve menaxhuese dhe rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërinë në përdorimin e fondeve. Ky ligj, gjithashtu, parashikon edhe zhvillimin e një metodologjie të re për alokimin e fondeve.

22.
Tarifat e studimit të paguara nga studentët janë burimi tjetër i rëndësishëm i të ardhurave për IALtë, por strukturimi i niveleve të ndryshme të tarifave nuk ka qenë racional. Gjithashtu, ka pasur pak transparencë në përdorimin e këtyre të ardhurave, e cila natyrisht ka shqetësuar ata që paguajnë. Mekanizmi për të ndihmuar studentët me të ardhura të pakta ka qenë i konceptuar jo mirë dhe për rrjedhojë nuk ka mbështetur përherë ata, të cilët realisht kanë pasur këtë nevojë.


2. VIZIONI, PRIORITETET STRATEGJIKE DHE SYNIMET PËR ARSIMIN E LARTË

23. Ndonëse niveli aktual i arsimit të lartë dhe i kërkimit shkencor ka përmirësime në krahasim më të shkuarën, ai do të ishte i papranueshëm për të ardhmen. AL-ja dhe kërkimi shkencor duhet të evoluojnë, nëse Shqipëria dëshiron të ketë vendin e saj në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (HEAL). Shqipëria ka nevojë për qytetarë të formuar dhe edukuar më mirë, si edhe për një forcë pune më të aftë, me qëllim që të ndërtojë një shoqëri të së ardhmes, bazuar në dije. Për këto arsye, është vendosur që arsimi të jetë prioritet kryesor për shtatë vitet e ardhshme.

24.
Objektivat kryesore për AL mbështeten në Strategjinë e Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI). Ato përmblidhen si më poshtë:
- Zhvillimi i shoqërisë dhe promovimi i standardeve të demokracisë nëpërmjet edukimit të studentëve për një jetë qytetare aktive.
- Zhvillimi ekonomik i vendit në përgjithësi dhe atij rajonal në veçanti nëpërmjet formimit të një force pune të kualifikuar.
- Përmbushja e aspiratave të brezit të ri për zhvillim.
- Zhvillimi dhe konsolidimi i një baze të gjerë e të përshtatshme dijesh në shërbim të vendit.

25.
Për të përmbushur këto objektiva, duke u mbështetur në nevojat e shoqërisë, sistemi i AL-së do të krijojë, zhvillojë dhe transmetojë njohuritë nëpërmjet mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Ky i fundit, përveç vënies në shërbim të zhvillimit ekonomik e social të vendit, do të jetë edhe në funksion të përditësimit, dhe rifreskimit dhe zgjerimit të bazës teorike dhe praktike të kurrikulës së studimeve si të mësimit dhe ofrimit të shërbimeve.
Për realizimin e objektivave të mësipërm, dallohen pesë prioritete strategjike në shtatë vitet e ardhshme:
a) Zgjerimi i sistemit në mënyrë që të plotësohen nevojat e vendit në perspektivën e arritjes edhe të standardeve për integrimin në Bashkimin Evropian (BE) (në kuptimin e treguesve për shkollimin terciar të popullsisë), duke krijuar njëkohësisht mundësi për arsimim të lartë të të gjithë atyre që dëshirojnë të përfitojnë prej tij.
b) Sigurimi i shumëllojshmërisë së ofertave të formimit, në përputhje me nevojat e zhvillimit perspektiv të vendit.
c) Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe të përvetësimit të dijeve në sistemin e AL, nëpërmjet zhvillimit të vazhdueshëm të burimeve njerëzore dhe të kulturës së cilësisë.
d) Përmirësimi i mekanizmave të qeverisjes nëpërmjet zhvillimit të autonomisë së IAL-ve, përkundrejt rritjes së cilësisë së menaxhimit me llogaridhënie dhe transparencë, në mënyrë që ato të funksionojnë realisht si institucione publike.
e) Përshtatja e metodave dhe e niveleve të financimit, në mënyrë që të inkurajohet i tërë sistemi për arritjen e objektivave të përgjithshme.

26.
Objektivat dhe prioritetet strategjike kërkojnë investime të rëndësishme për AL-n dhe kërkimin shkencor. Këto shpenzime do të jenë rrjedhëse dhe për investime.

27.
Procesi i ndryshimit të një sistemi kompleks, si ai AL, do të kër kojë kohë dhe është kjo arsyeja, për të cilën strategjia shtrihet në një periudhë prej shtatë vitesh. Me zhvillimet në vijim, mund të nevojiten ndryshime në ligjin e AL (2007).

28.
Strategjia mbështetet mbi një analizë rigoroze të gjendjes aktuale të vendit; ajo merr gjithashtu në konsideratë zhvillimet ndërkombëtare. Kahu i propozimeve të saj është në përputhje me prirjet kryesore evropiane dhe globale në AL. Si e tillë, kjo strategji synon të mbartë mbështetjen e gjerë të aktorëve të AL dhe politikëbërësve, si brenda dhe jashtë vendit.

 

3. POLITIKAT PËR PRIORITETET STRATEGJIKE


3.1 Përmasat e sistemit të arsimit të lartë

29.
Për të realizuar objektivat e mësipërme, zhvillimi i Shqipërisë do të kërkojë një zgjerim të sistemit të AL me kohë të plotë. Ky zgjerim do të shoqërohet edhe me ndryshimin e formës aktuale të sistemit. Zgjerimi do të ketë kosto financiare dhe është me vlerë nëse kryhet duke e transformuar AL në një sistem modern dhe cilësor. Me një sistem të reformuar, kostot e zgjerimit do të jenë më shumë investim për të ardhmen sesa thjesht shpenzim. Strategjia parashtron zhvillimet e politikave - si për sistemin ashtu edhe për çdo IAL. Plani i veprimit do të përmbajë detaje për reformat që do të realizohen, si pjesë integrale e çdo zgjerimi.

30.
Niveli i zgjerimit të sistemit të AL duhet të jetë në përputhje me objektivin afatgjatë të integrimit të vendit në BE dhe me kërkesën. Dy aspekte të kërkesës merren në konsideratë: nevojat e ardhshme të tregut të punës dhe dëshirat e studentëve për të hyrë në sistemin e AL. Ndonëse nuk ka konstatime për kërkesa të paplotësuara për të diplomuarit nga AL në përgjithësi, por hasen nevoja të paplotësuara në veçanti. I tillë është rasti i vendeve të paplotësuara të punës për specialistë të IT-së në mbarë vendin dhe mësues në zona të largëta. Si një ekonomi në tranzicion, kushtet e tregut të punës në vend janë larg të qenit të stabilizuara dhe për pasojë duhet që zgjerimi i sistemit të jetë gradual dhe jo i menjëhershëm.

31.
Plani Kombëtar i Zhvillimit ka përcaktuar tre sektorë më prioritarë: Turizmin, industrinë agroushqimore dhe zhvillimin e eksporteve në përgjithësi. Këto prioritete do të pasqyrohen edhe në miratimin e kuotave në rritje të numrit të studentëve në IAL. Në vitin 2005-2006 vetëm 13 % e studentëve ndiqnin programe studimi në drejtime, si matematika, fizika, informatika dhe shkencat inxhinierike në përgjithësi. Ky raport, i krahasuar me 26%, që është mesatarja e vendeve të BE-së, sugjeron ndërmarrjen e një studimi për të gjykuar nëse duhen vendosur objektiva më të lartë pjesëmarrjeje në formimet e mësipërme, bazuar në nevojat e zhvillimit të vendit dhe përvojat analoge në rajon dhe më gjerë.

32.
Numri i të punësuarve në sektorin privat po rritet me shpejtësi. Një numër i madh të diplomuarish do të punësohen në të ardhmen në veprimtari të sektorit privat që sot mund të mos ekzistojnë - dhe ata duhet të jenë të përgatitur për t'u riorientuar profesionalisht dhe ripunësuar disa herë gjatë jetës së tyre. Përvoja e vendeve të tjera sugjeron dy konsiderata të rëndësishme lidhur me trajtimin e nevojave perspektive të tregut të punës. E para, është që të diplomuarit duhet të jenë të përgatitur me shprehi të përgjithshme dhe të transferueshme, si ato të analizës, të të menduarit, arsyetimit, paraqitjes dhe komunikimit. Tregu i punës në Shqipëri ndoshta ende nuk e koncepton plotësisht nevojën e një përgatitjeje të tillë, prandaj mund të kërkohen veprime aktive nga ana e qeverisë për të inkurajuar punëdhënësit që të njohin dhe t'u përgjigjen sfidave të së ardhmes. AL në Shqipëri aktualisht nuk kultivon si dhe sa duhet krijimin e shprehive të tilla, ndërkohë që prej tij pritet të luajë rolin udhëheqës në zhvillimin e një ekonomie dhe shoqërie të bazuar në dije. Për këtë do të kërkohen kurse dhe programe të reja formimi, por ajo që është më e rëndësishmja - ndryshime thelbësore në kurrikulat e studimeve universitare të ciklit të parë dhe të dytë.

33.
Konsiderata e dytë, që buron nga përvoja e vendeve të tjera, veçanërisht e atyre të Evropës Lindore dhe Qendrore, është se formimet 2-vjeçare pas shkollës së mesme, do të marrin një rëndësi më të madhe. Këto formime, që i përgjigjen një shkollimi të lartë jouniversitar, sigurojnë diploma profesionale, si dhe tituj të tjerë kualifikimi, me orientim të fortë nga tregu. Ato mund t'i japin një nxitje të rëndësishme zhvillimit të biznesit të vogël dhe industrive të reja, veçanërisht në nivel lokal. Aktualisht ka disa nisma pozitive në këtë drejtim, por shtrirja e tyre është tepër e kufizuar dhe përvoja e grumbulluar, e pakët.

34.
Zhvillimi i formimeve postsekondare 2-vjeçare duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat. Plani i veprimit parashikon që një grup i posaçëm pune të studiojë nevojat për diploma 2-vjeçare si dhe, mënyrën e organizimit të tyre. Zhvillimi i kurseve përkatëse pritet të kërkojë edhe motivimin financiar të IAL-ve për t'u përfshirë në një veprimtari të tillë. Në plani n e veprimit do të parashikohen fonde të posaçme për këtë qëllim, të cilat IAL-të do të mund t'i përftojnë nëpërmjet konkurrimit. Formimet jouniversitare duhen konsideruar si pjesë e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe duhen konceptuar në mënyrë të tillë, që të lejojnë studentët e suksesshëm të vazhdojnë (nëse dëshirojnë) ciklin e parë të formimit universitar, nëpërmjet transferimit të krediteve.

35.
Zgjerimi i AL është një prioritet që do të ndiqet në vijimësi, por pa cenuar cilësinë. Ky zgjerim nuk mund të jetë më i shpejtë se rritja e kontingjentit të përshtatshëm për shkollim të lartë, që kushtëzohet nga evolucioni i sistemit parauniversitar. Në vitin 2006-2007 u arrit që mbi 90% e atyre që përfunduan shkollën e mesme të regjistrohen në arsimin e lartë (pa përfshirë shkollimet jashtë vendit), por cilësia e një pjese të këtij kontingjenti linte mjaft për të dëshiruar. Objektivi, lidhur me arsimin e mesëm, është që në vitin 2015 pjesa më e madhe e kontingjentit të kësaj grupmoshe (rreth 80 %, kundrejt 53% në vitin 2006), të përfshihen në një formë ose tjetër të arsimit të mesëm, i cili do t'i nënshtrohet një reforme të thellë me synim kryesor, rritjen e cilësisë. Objektivi, lidhur me AL, është që deri në vitin 2017, mbi 85% e kontingjentit që përfundon shkollën e mesme, të hyjë në një nga drejtimet dhe ciklet e AL. Kjo nënkupton që numri i studentëve në të gjitha ciklet e studimeve tretësore (postsekondar, bachelor, master dhe doktoratë) dhe format e studimeve (kohë e plotë, kohë e pjesshme, edukim në distancë) në vitin 2013 të jetë mbi 120 000, krahasuar me rreth 91 000 aktualisht (gjendja korrik 2008). Ky zgjerim, me afro 30 000 studentë për një periudhë 5-vjeçare, është rrjedhojë e rritjes së pritshme vjetore të kontingjentit të nxënësve që përfundojnë me sukses shkollën e mesme, e cila është 2 - 3%, (ii) hapjes së studimeve të ciklit të dytë (master), dhe (iii) zgjerimit të AL privat.

36.
Ky objektiv zgjerimi është ambicioz dhe do të shqyrtohet më në detaje në planin e veprimit. Një pjesë e zgjerimit do të realizohet sigurisht në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të programeve universitare dhe kryesisht në IAL-të, që i ofrojnë të tre këto cikle; pjesa tjetër, që mendohet se do të jetë më e madhe, do t'u takojë formimeve të ndërmjetme apo jouniversitare (zakonisht 2-vjeçare). Këto, jo vetëm do të sigurojnë kualifikime me impakt të menjëhershëm më të madh për tregun e punës dhe me kurrikula që mund të përshtaten sipas nevojave lokale, por do të jenë edhe me kosto më të ulët, krahasuar me një cikël të parë të plotë. IAL-të me orientim rajonal janë mjedisi më i përshtatshëm për krijimin dhe zhvillimin e formimeve të tilla që përfshijnë edhe trajnime/ritrajnime në funksion të nevojave të sektorit privat në rajon dhe tregut të punës. Ofrues të tjerë potencialë diplomash të tilla do të jenë, nëse plotësojnë kushtet e akreditimit, edhe institucionet private, me tarifa që paguhen nga vetë studentët ose që sponsorizohen nga punëdhënësit.

37.
Rritja e numrit të studentëve duhet të shkojë krahas rritjes së kapacitetit të sistemit për të ofruar një shërbim që respekton standardet. Për këtë duhet të sigurohet, së pari, numri i nevojshëm i personelit akademik me kualifikim të përshtatshëm. Raporti aktual student/personel akademik (mesatarisht rreth 26 në fund të vitit 2007) ishte ende larg mesatares së BE (20), në të cilën nuk përfshihet personeli kërkimor, i cili është kryesisht grupi i studentëve të doktoratës, i cili edhe pse nuk ka ngarkesë mësimore të planifikuar mbështet profesorët dhe docentët në seancat mësimore si ushtrime, laboratorë dhe seminare. Ky raport duhet të përmirësohet krahas rritjes së numrit të studentëve në sistemin e AL. Mbi këtë bazë, shtesa prej rreth 30 000 studentësh në 5 vjet, do të kërkojë shtesë vjetore të personelit mësimdhënës, në AL publike dhe private, prej rreth 2000 veta, pa llogaritur këtu edhe nevojën për zëvendësimin e atyre që largohen apo dalin në pension. Vetëm në vitin 2008 në sistemin e AL publik u shtuan 583 vende të reja pune për personel mësimor kërkimor. Përveç këtyre sistemit iu shtuan edhe rreth 400 punonjës të tjerë kërkimorë - mësimorë si rrjedhojë e zbatimit të reformës së integrimit të instituteve kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe ministrive të linjës në sistemin e AL. Rruga kryesore për zgjidhjen e problemit të personelit do të jetë punësimi i pedagogëve të rinj, duke synuar në veçanti tërheqjen e kontingjentit cilësor të të shkolluarve dhe të të kualifikuarve jashtë vendit nëpërmjet mekanizmave motivues. Në funksion të kësaj të fundit qeveria ka ndërmarrë, që në vitin 2006, programin afatgjatë Brain Gain, i cili parashikon një paketë nxitëse që lehtëson kthimin e përhershëm ose të përkohshëm të kandidatëve që kanë përfunduar me rezultate mbi mesatare, studimet e masterit ose doktoratës në shkolla të larta të huaja të akredituara.

38.
Shumica e personelit të ri akademik, të kërkuar nga zgjerimi i sistemit (personelit shtesë), do të përqendr ohet në rolin mësimdhënës, kryesisht në ciklin e parë dhe në programet e ndërmjetme jouniversitare. Për këtë kërkohet një kualifikim në nivelin Master dhe doktorata (PhD). Plani i veprimit parashikon zhvillimin e një procesi monitorues, i cili:
- do të përcaktojë nevojat për personel të ri;
- do të vlerësojë shkallën në të cilën këto nevoja do të plotësohen nga integrimi i instituteve kërkimore në AL;
- do të verifikojë nëse konceptimi i programeve të reja Master, potencialisht të aftë për të furnizuar këtë shtesë personeli akademik, siguron fleksibilitetin e nevojshëm për t'iu përgjigjur nevojave në momentin që ato shfaqen.

39.
Rritja e nivelit të mësimdhënies në IAL-të nuk është thjesht çështje numrash; ajo kushtëzohet në radhë të parë prej faktit se janë ende të pakët pedagogët që operojnë me metoda që zhvillojnë tek studentët ato shprehi dhe kompetenca, që u duhen atyre për të ardhmen. Ndryshimi i stilit dhe metodave të mësimdhënies kërkon një investim madhor në zhvillimin e personelit akademik ekzistues, duke përfshirë, së pari pedagogët e vjetër; po ashtu i domosdoshëm është edhe trajnimi i personelit të ri. Për shumë nga personeli ekzistues, do të nevojitet një investim më vete, që do të jetë i kushtueshëm, por duke e konsideruar zhvillimin e burimeve njerëzore si një prioritet të lartë, atij do t'i kushtohet një mbështetje e veçantë financiare. Për të mbështetur zhvillimin e shpejtë të burimeve njerëzore në AL qeveria ka filluar të zbatojë që në vitin 2007 një program ta veçantë të emërtuar "Fondi i Ekselencës", i cili ofron bursa për personelin e ri akademik që dëshiron të kryejë një pjesë ose të gjitha studimet e doktoratës dhe postdoktoratës në universitetet e huaja, të njohura. Ky program mbështet edhe studentët shqiptarë që kryejnë studimet e nivelit master në një nga 10 universitetet më të mira të botës.

40.
Aspekti i dytë, lidhur me zgjerimin e sistemit, ka të bëjë me burimet fizike të ndërtesave dhe pajisjeve. Aktualisht, mjediset e IAL-ve përdoren përgjithësisht jo në mënyrë efektive gjatë javës, dhe gjatë vitit; një përdorim në një shkallë më të lartë i mjediseve dhe pajisjeve në orët e pasdites dhe gjatë fundjavës, do të rriste mundësinë e sistemit për zgjerim. Disa fakultete brenda një IAL-je kanë mungesë hapësire dhe të tjerë e kanë atë me tepri; të gjitha fakultetet duhet të pranojnë se ndërtesat dhe klasat i përkasin IAL-së në tërësi dhe jo fakulteteve të veçanta, pavarësisht origjinës së financimit të tyre. Një organizim më racional i shfrytëzimit të mjediseve do të lejonte rritjen e numrit të studentëve edhe pa zgjerime ekuivalente të hapësirës në dispozicion të IAL-ve. Shifra të detajuara në këtë drejtim nuk ka dhe plani i veprimit parashikon një studim urgjent lidhur me përdorimin dhe kushtet e mjediseve dhe të infrastrukturës së IAL-ve.

41.
I njëjti problem shtrohet edhe për përdorimin e pajisjeve, megjithëse duhet pranuar se mungesa e pajisjeve të përshtatshme për mësimdhënie moderne është evidente. Përsëri, nuk disponohet informacion i detajuar për shkallën e shfrytëzimit të pajisjeve ekzistuese dhe as për përmasat e mungesave. Studimi i mësipërm, do të shqyrtojë rrugët e rritjes së efektivitetit të përdorimit të pajisjeve dhe do të bëjë një vlerësim realist të asaj që nevojitet për të sjellë standardin e tyre në nivel të pranueshëm për një perspektivë 10-vjeçare. Ky studim do t'u referohet edhe gjendjes dhe përvojave analoge të vendeve të tjera evropiane me kushte ekonomike të afërta me ato të Shqipërisë. Përmirësimi i nivelit të pajisjeve do të ketë si synim prioritar modernizimin e metodave të mësimdhënies dhe në përgjithësi rritjen e cilësisë së procesit mësimor, pa përjashtuar edhe zhvillimin e kërkimit shkencor, kur kjo është e mundur.

42.
E treta, e cila është thelbësore, ka të bëjë me përshtatshmërinë e mbështetjes financiare në të ardhmen. Qeveria është e angazhuar të dyfishojë fondet publike për arsimin në 5 vitet e ardhshme. Parashikohet që AL-ja të ruajë përqindjen aktuale në buxhetin total të arsimit, por ajo të jetë kryesisht për kostot rrjedhëse dhe jo për investime kapitale. Mbështetja financiare nga burime të tjera, përfshirë kontribute private dhe ndihmë nga agjenci shumëpalëshe apo dypalëshe, është një nga mundësitë që do të shfrytëzohet. Plani i veprimit do të bashkërendojë mundësitë e financimit nga burime të ndryshme.

43. Pavarësisht kufizimeve, mendohet se objektivi për zgjerimin e sistemit të arsimit të lartë mund të realizohet pa prekur cilësinë e tij.

44.
Zgjerimi i sistemit, nuk do të bëhet me krijimin e institucioneve të reja të AL publike, por me zgjerimin e atyre ekzistuese, në mënyrë të veçantë ato rajonale. Pjesa më e madhe e zgjerimit do të jetë për formimet e larta jouniversitare dhe të ciklit të parë të studimeve, në varësi edhe të rezultateve e përfundimeve që do të arrijë grupi i punës për diplomat. Në të njëjtën kohë, synohet të zgjerohet llojshmëria e lëndëve, e cila aktualisht është e ngushtë, në mënyrë që nga njëra anë të sigurohet një formim më i plotë për studentët dhe nga ana tjetër të ofrohen më shumë mundësi zgjedhjeje të kombinimeve të lëndëve.

45.
E ardhmja e studentëve me kohë të pjesshme është e paqartë. Aktualisht shumë nga ata që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin studimet me kohë të pjesshme, pasi rezultatet e tyre kanë qenë të pamjaftueshme për të fituar studimet me kohë të plotë në degët që kanë synuar. Ndonëse kjo përmbush një pjesë të kërkesës, ky nuk është qëllimi kryesor për këtë formë studimi, i cili duhet të jetë për ata studentë që nuk kanë mundësi reale për të ndjekur studimet me kohë të plotë (p.sh. për ata që janë të punësuar). Ekzistojnë edhe shqetësime të tjera në lidhje me formën e organizimit të studimeve me kohë të pjesshme. Së pari, standardet e hyrjes për studentët me kohë të pjesshme duhet të jenë të barasvlershme me ato të studentëve me kohë të plotë, përndryshe standardet e AL në tërësi do të pësojnë rënie. Nëse maturantët do të jenë të formuar për të ndjekur studimet e larta, sistemi duhet të jetë në gjendje t'i pranojë me kohë të plotë; nëse nuk i plotësojnë këto standarde, atëherë në asnjë mënyrë ata nuk duhen pranuar. Së dyti, vlera e arsimimit me kohë të pjesshme merret e barasvlershme me atë me kohë të plotë, ndërkohë që numri i orëve të studimeve është vetëm sa dy të tretat. Së treti, tarifat që paguhen nga studentët me kohë të pjesshme sigurojnë një të ardhur shtesë të konsiderueshme për personelin akademik, dhe kjo përbën rrezik për të shmangur vëmendjen e tyre nga mësimi te studentët me kohë të plotë.

46.
Sistemi i studimeve me kohë të pjesshme është tepër i vlefshëm për ata që mund ta ndjekin vetëm këtë formë studimi, p.sh. për shkak të marrëdhënieve të punës ose angazhimeve familjare. Studentë të tillë sigurisht ka dhe do të ketë më shumë kur të nxënit gjatë gjithë jetës do të bëhet veprimtari normale e një ekonomie në rritje. Qëllimi kryesor për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme është që t'u shërbejë nevojave të këtyre studentëve dhe punëdhënësve të tyre. Shumë nga këta studentë do të jenë në moshë më të madhe, dhe, kjo formë studimi duhet rregulluar në përshtatje me nevojat e tyre, p.sh. kurse të shkurtra formimi për të nxënit gjatë gjithë jetës. Sistemi i studimeve me kohë të pjesshme nuk duhet të shërbejë si alternativë për maturantët që nuk plotësojnë kriteret për t'u regjistruar në studimet me kohë të plotë. Efekti i këtij ndryshimi do të jetë zvogëlimi në mënyrë të ndjeshme i numrit të studentëve me kohë të pjesshme, që do të çojë në zvogëlimin e të ardhurave për IAL dhe për personelin akademik. Politika për këtë formë studimi duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë për "të nxënit gjatë gjithë jetës", përfshirë "mundësitë e hapura". Këto çështje janë komplekse dhe plani i veprimit parashikon ngritjen e një grupi pune për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, i cili të analizojë gjendjen dhe të përgatisë rekomandimet e duhura.

47.
Në kuadrin e zgjerimit të sistemit, do të ketë rritje edhe në institucionet private, krahasuar me totalin aktual prej afro 10 000 studentësh (gjendja korrik 2008). Roli i tyre në plotësimin e nevojave të shoqërisë për arsim të lartë do të vijë duke u fuqizuar. APAAL-i do të vazhdojë të aplikojë një sistem rigoroz të sigurimit të cilësisë për IAL-të private, për të mbrojtur interesat e studentëve të tyre dhe për të garantuar që ato të veprojnë brenda një kuadri me standarde të qarta. Gjithashtu, për të mbrojtur interesat e studentëve në IAL-të publike, do të forcohet kërkesa aktuale që personeli i tyre akademik të japë eventualisht mësim në IAL-të private, vetëm brenda rregullave të institucionit publik. Strategjia përshkohet nga ideja se pavarësisht rritjes së numrit të studentëve në IAL-të private, kërkesa për arsim të lartë do të mbulohet kryesisht, edhe në të ardhmen, nga IAL-të publike. Arsimi i lartë është dhe do të mbetet përgjegjësi publike.

48.
Zgjerimi i ndjeshëm i sistemit përkon me zhvillimin e vazhdueshëm të Maturës Shtetërore, si mjet nëpërmjet së cilës sigurohet hyrja në IAL. Plani i veprimit do të përmbajë hapat dhe procedurat për Maturën Shtetërore, duke punuar me Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve (AVA). Synimi kryesor për zhvillimin e Maturës Shtetërore është që të bëhet një provim më i plotë, të paktën për lëndët bazë, të hartuara dhe administruara në mënyrë të centralizuar. Matura Shtetërore do të ketë një bërthamë me lëndë të detyrueshme në dy nivele. Për lëndët me zgjedhje synohet në zgjerimin e llojshmërisë së tyre, të cilat, po ashtu do të zhvillohen në dy nivele.

49.
Me një bazë lëndësh formuese për Maturën Shtetërore, do të bëhet e mundur të zhvillohet një sistem i kompjuterizuar për shpërndarjen e studentëve në IAL-të (sikurse bëhet në vende të tjera evropiane). Ky sistem do të orientohet nga pragu i hyrjes, bazuar në lëndët e përcaktuara nga fakultetet dhe do të marrë për bazë preferencat e studentëve dhe rezultatet e provimeve. Plani i veprimit para shikon ngritjen e një organi të ri: Agjencia për Pranimet në Institucionet e Arsimit të Lartë (APIAL). Matura Shtetërore e plotë, së bashku me sistemin e ri të pranimeve në IAL-të, është planifikuar të realizohet deri në vitin 2010.

50.
Me qëllim që të ndihmohen studentët të bëjnë zgjedhjet e tyre për kurset e studimeve të arsimit të lartë, nga IAL-të do të kërkohet të përgatisin një Prospectus, posaçërisht për kandidatët e mundshëm. Sidoqoftë ky Prospectus nuk do jetë i mjaftueshëm për kandidatët që të bëjnë zgjedhjet për të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, plani i veprimit përfshin ngritjen e një grupi për karrierën, i cili do të ndihmojë kandidatët të orientohen për të ardhmen e tyre. Ky grup do të japë edhe sugjerime për përmbajtjen e Prospectus-it që do përgatisin IAL-të. Anëtarët e grupit për karrierën do të përfshijnë interesat e shkollës, të AL dhe punëdhënësve.

3.2. Misionet e diferencuara të IAL-ve: Mësimi, shërbimet dhe kërkimi shkencor

51. Aktualisht sistemi i AL-ve funksionon sikur të gjitha IAL-të të ishin të njëjta, por në fakt, ka dhe duhet të ketë dallime të rëndësishme mes tyre. Diferencimi i misioneve të IAL-ve është domosdoshmëri. Ai duhet të jetë i tillë që çdo IAL t'i shërbejë më efektivisht nevojave të vendit. Ky diferencim do të ketë implikimet e veta në strukturën dhe funksionet e tyre.


Diferencimi i misioneve


52. Mësimi në IAL-të rajonale do të vazhdojë të orientohet me përparësi drejt formimeve profesionale, në veçanti të mësuesve për sistemin e arsimit bazë, specialistëve të IT, si dhe të infermierëve, punonjësve socialë, menaxherëve, asistentëve ligjorë etj. Këto formime do të realizohen me kurse të ciklit të parë universitar, me përjashtime të mundshme për mësuesinë. Kuadri i Bolonjës nuk i pengon IAL-të rajonale të ofrojnë vetëm ciklin e parë, kur nuk ekzistojnë kushtet apo nevojat për të zhvilluar të tre ciklet. Ndërkohë, ato do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në ngritjen dhe konsolidimin e programeve postsekondare 2-vjeçare. Të tre ciklet e studimeve universitare do të ofrohen vetëm nga ato IAL, në Tiranë apo në rrethe, që përmbushin standardet.

53.
Strategjia nuk synon të kufizojë IAL-të rajonale vetëm në ofrimin e ciklit të parë. Ky pozicion nuk është i ngurtë, si për studentët, ashtu edhe për këto institucione. Për studentët e IAL-ve rajonale, nëpërmjet bashkëpunimit me IAL-të që i ofrojnë të tre ciklet (aktualisht, tre universitetet kryesore në Tiranë), do të mundësohet hyrja në programet e ciklit të dytë dhe të tretë, me kusht, gjithmonë që ata (studentët) të plotësojnë kriteret e vendosura për këtë qëllim. Në fakt, kjo transferueshmëri është një nga objektivat kryesore të Procesit të Bolonjës. Ligji i AL (2007) e bën të qartë, që IAL-të rajonale do të kenë mundësi për të ofruar ciklin e 2-të ose edhe të 3-të në një fushë apo drejtim të caktuar, në rast se provojnë se kanë plotësuar kriteret kombëtare për atë fushë apo drejtim. Kriteret përcaktohen nga KALSH-i, bazuar në rekomandimet e APAAL-it dhe verifikohen nga kjo e fundit


54.
Është e pritshme që IAL-të rajonale (pa përjashtuar edhe ato private), të jenë në pararojë të zhvillimit të programeve postsekondare 2-vjeçare dhe të jenë ofruesit kryesorë të diplomave të tyre. IAL-të rajonale do të bëhen në këtë mënyrë edhe përfituesit kryesorë të fondeve për zhvillim, që do të akordohen nga qeveria, pikërisht, për këtë qëllim. Ato do të përfitojnë nga tarifat e shkollimit në këto programe, duke rritur në këtë mënyrë të ardhurat e tyre. APAAL do të zhvillojë kritere të veçanta për sigurimin e cilësisë për programet e studimeve 2-vjeçare.


55.
Orientimi i IAL-ve rajonale drejt formimeve profesionale, do të forcojë kontributin e tyre në ndihmë të zhvillimit ekonomik e social të rajonit përkatës. Strategjia synon që këto IAL të identifikohen gjithnjë e më tepër si "Qendra të Zhvillimit Rajonal", me lidhje të forta me komunitetin lokal dhe me vëmendje të veçantë ndaj nevojave të këtij komuniteti. Marrja e një roli të tillë nga IAL-të rajonale do të forcojë identitetin i tyre; ato do të jenë shumë më specifike dhe më të njohura nga sa janë aktualisht.

56.
Roli i IAL-ve rajonale në ndihmë të zhvillimit ekonomik dhe social, nënkupton që ato, krahas mësimit, do të ofrojnë konsulencë, kërkim shkencor të aplikuar dhe shërbime të tjera, duke përftuar në këtë mënyrë edhe të ardhura shtesë. "Klientët" potencialë për këto shërbime do të jenë komunitetet dhe bizneset lokale, organet qeverisëse, vendore dhe qendrore, dhe organizata donatore të ndryshme; të gjithë këta, veçanërisht Ministritë dhe donatorët, do të inkurajohen të përdorin shërbimet e ofruara prej IAL-ve. Në planin e veprimit do të përcaktohen financime të posaçme - fonde nxitëse - për të ndihmuar IAL-të rajonale të zhvillojnë këtë rol. Çdo IAL-je do t'i kërkohet të paraqesë një plan të detajuar dhe të shoqëruar me kostot, që të demonstrojë se çfarë shërbimesh synon të zhvillojë. Ky plan do të shqyrtohet nga KALSH-i, dhe në rast miratimi, të paktën një pjesë e kostove të nisjes së veprimtarive përkatëse do të mbulohen nga fondi nxitës.

57.
Në të njëjtën mënyrë dhe me strategji të ngjashme, tre universitetet kryesore në Tiranë do të ndihmojnë për zhvillimin e komunitetit dhe bizneseve lokale. Ato do të jenë në gjendje të ofrojnë një llojshmëri më të gjerë shërbimesh në sajë të integrimit në to të instituteve kërkimore, nga ku pritet të gjenerohen të ardhura shtesë të konsiderueshme për këto universitete. Ato duhet të jenë në gjendje të zhvillojnë shërbime të tilla pa nevojën për fonde nxitëse, të cilat do të destinohen për IAL-të rajonale.

58.
Procedurat, që u lejojnë IAL-ve të lidhin kontrata për shërbimet që ofrojnë, kanë pësuar ndryshime në drejtim të thjeshtëzimit të tyre. Por, këto ndryshime nuk janë përvetësuar dhe shfrytëzuar sa duhet nga IAL-të. Në planin e veprimit do të parashikohen masa për të aftësuar dhe inkurajuar IAL-të në shfrytëzimin e të gjitha mundësive ligjore për gjenerim të ardhurash. Në kuadrin e këtij plani, grupi i punës për financat, do të studiojë mundësinë e lehtësimeve të tjera për ato procedura që ende kërkojnë miratim nga organet qendrore, si ato për ngritjen e ndërmarrjeve apo për mënyrën e përdorimin të të ardhurave.

59.
Kostoja e lartë e kërkimit shkencor imponon fokusimin në mënyrë selektive të disa fushave apo drejtimeve prioritare; vetëm kështu mund të maksimalizohet impakti i tij - një praktikë e tillë ndiqet, madje, edhe në vendet e pasura. Përzgjedhja e fushave dhe drejtimeve prioritare do të bëhet nga një organizëm i posaçëm në varësi të KALSH-it, Grupi për Strategjinë e Kërkimit Shkencor. Detyrë e këtij Grupi do të jetë edhe monitorimi i zbatimit të strategjisë për kërkimin shkencor, si dhe rishikimi dhe përditësimi i saj, për t'iu përgjigjur në vijimësi zhvillimeve të brendshme dhe të jashtme.

60.
Strategjia e kërkimit shkencor do të shërbejë si platformë për vendimmarrjen lidhur me fushat ku do të orientohen programet e kërkimit shkencor. Kërkimi shkencor akademik do të financohet në bazë projekti, nëpërmjet një procedure transparente konkurrimi, ku përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas meritës. Zhvillimi i kësaj procedure do të jetë një detyrë tjetër e Grupit për Strategjinë e Arsimit të Lartë. Për këtë ai do të mbështetet nga disa panele ekspertësh, bazuar në ndarjen e kërkimit shkencor në disa fusha të gjera, për shembull, tre. Çdo panel do të përbëhet nga personalitete të fushës dhe njëri prej tyre mund të jetë edhe ekspert i huaj. Plani i veprimit do të përcaktojë në detaje mënyrën e konstituimit të Grupit për Strategjinë e Kërkimit Shkencor, detyrat dhe kompetencat që ai do të ketë dhe në veçanti, procedurën e alokimit të fondeve.

61.
Parashikohet që në Grupin për Strategjinë e Kërkimit Shkencor të përfshihen drejtuesit e paneleve - si rregull, anëtarë të KALSH-it, një përfaqësues i MASH-it, përfaqësues të sektorëve industrialë apo prodhues, që përfitojnë drejtpërdrejt nga kërkimi shkencor, si dhe personalitete të shquara nga fushat kryesore të kërkimit shkencor (që mund të jenë edhe anëtarë të paneleve përkatëse). Përbërja e Grupit për Strategjinë e Kërkimit Shkencor do të shqyrtohet më konkretisht në planin e veprimit.

62.
Për arsye objektive, të paktën në këtë fazë të zhvillimit të vendit, vëllimi i kërkimit shkencor do të jetë relativisht modest, dhe pjesa më e madhe e tij do të realizohet në universitetet kryesore të Tiranës, të fuqizuara tashmë nga integrimi i Instituteve Kërkimore. Ky integrim do të krijojë mundësinë e racionalizimit të kapaciteteve kërkimore në nivel kombëtar, në përputhje me prioritetet e Strategjisë së Kërkimit Shkencor; kjo është dhe arsyeja e urgjencës për hartimin e kësaj strategjie. Për të ndihmuar procesin e integrimit të Instituteve Kërkimore dhe racionalizimin e kërkimit që vjen si rrjedhojë, plani i veprimit parashikon mundësinë e alokimit të fondeve në bazë rastesh dhe nevojash të argumentuara nga universitetet e interesuara. Këto fonde do të sigurohen në një shkallë të madhe prej kursimeve të realizuara nga rritja e efiçencës së administrimit të burimeve njerëzore dhe materiale me integrimin në universitete të Instituteve Kërkimore të mëparshme. Që këtej buron një detyrë tjetër e rëndësishme e Grupit për Strategjinë e Kërkimit Shkencor, që ka të bëjë me hartimin e një plani për racionalizimin e kapaciteteve kërkimore në shkallë vendi, dhe për shpërndarjen e fondeve në funksion të këtij racionalizimi.

63.
IAL-të rajonale do të ndërmarrin veprimtari të ndryshme praktike në shërbim të komuniteteve e tyre lokale, por ato, natyrisht, do të kenë të drejtë, si të gjitha IAL-të, të konkurrojnë me projekte akademike të kërkimit shkencor - nëse zotërojnë realisht kapacitetet e nevojshme për ndërmarrjen e tyre. Për t'i ndihmuar IAL-të rajonale për t'u specializuar në një ose disa drejtime të kërkimit shkencor, për shembull, në sferën e arsimit, atyre do t'u alokohen fonde, të cilat ato do të gjykojnë vetë si t'i përdorin, në bazë të strategjisë së tyre për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore. Rrjedhime lidhur me raportin e ngarkesës së punës për personelin akademik

64.
Diferencimi i misioneve të IAL-ve do të ketë rrjedhimet e veta edhe në raportin e ngarkesës së personelit akademik. Pavarësisht këtij diferencimi, mësimdhënia do të jetë detyrë kryesore e të gjithë këtij personeli dhe prej secilit do të pritet që të aftësohet dhe kualifikohet vazhdimisht për të ngritur dhe përditësuar nivelin e mësimit që zhvillon, si në aspektin pedagogjik, ashtu edhe në atë të përmbajtjes.

65.
Kërkimi i aplikuar, konsulenca dhe veprimtaritë zhvilluese (të cilat nuk janë të natyrës për t'u pasqyruar në botime shkencore), duhet të jenë shërbime që të gjitha IAL-të u ofrojnë komuniteteve dhe bizneseve lokale, si në Tiranë edhe në rrethe. Prandaj, çdo pjesëtar i personelit akademik (pa përjashtuar edhe atë ndihmës), pritet të kontribuojë në këto lloj veprimtarish. Po ashtu, i gjithë personeli duhet të jetë i disponueshëm për kryerjen e detyrave administrative të kërkuara nga IAL-të.

66.
Kërkimi shkencor i mirëfilltë, në ndryshim me sa më sipër, do të kryhet nga një pjesë e kufizuar e personelit akademik; nuk mendohet që i tërë personeli doemos të përfshihet në këtë lloj kërkimi. Këtu nuk përfshihet procesi i përftimit dhe i rifreskimit të dijeve, që ndihmon në mësimdhënie dhe që është detyrë parësore e çdo anëtari të personelit akademik. Kërkimi shkencor i mirëfilltë do të ndërmerret nga pjesa e personelit akademik, e cila ka qenë e suksesshme në konkurrim për fitimin e financimeve të projekteve kërkimore, ose nga ajo pjesë e tij që punon në një fushë të përcaktuar nga IAL-të për zhvillimin e kapaciteteve për kërkim shkencor të mirëfilltë. IAL-ja, në këtë rast, mbulon shpenzimet me fonde të brendshme të saj. Për pjesën tjetër të personelit akademik, e gjithë koha e punës duhet të vihet në dispozicion të mësimdhënies, shërbimeve që ofron IAL-ja, detyrave administrative dhe kërkimit shkencor të aplikuar.

67.
Përsa i përket ngarkesës akademike, mund të ketë konceptime të ndryshme të saj për IAL të ndryshme, madje edhe për fakultete të ndryshme brenda një IAL-je. Gjithsesi, ngarkesa akademike përfshin katër lloje veprimtarish:
- mësimdhënie (së bashku me kualifikimin e vazhdueshëm profesional),
- kërkim shkencor, zhvillim dhe transferim të teknologjisë dhe njohurive,
- mbështetje për institucionin.

68.
Strukturat e IAL-ve do të miratojnë në mënyrë institucionale ngarkesën akademike për çdo pjesëtar të personelit të tyre dhe do të vlerësojnë performancën në secilin zë të veprimtarive të mësipërme (për mësimdhënien do merret parasysh raporti i vlerësimit të brendshëm të cilësisë si edhe opinioni i studentëve). Plani i veprimit do të përfshijë udhëzimet drejtuar IAL-ve, për konceptimin dhe zhvillimin e rregullave lidhur me vlerësimin e performancës.

69.
Konceptimet e ndryshme të ngarkesës do të kenë ndikime të rëndësishme mbi kriteret e punësimit të personelit akademik dhe të progresit në karrierë. Aktualisht nuk është rregulluar përputhja e gradave shkencore e titujve akademik me vendet e punës. Titulli akademik "Profesor" nuk nënkupton një vend pune të profesorit, siç ndodh në shkollat e huaja. Kjo ka bërë që edhe kriteret për kërkimin e titujve akademik janë të njëjta për të gjithë IAL-të.

70.
KALSH-i do të rekomandojë kriteret e punësimit dhe të karrierës akademike, duke pranuar parimin që ato do të jenë fleksibël në varësi të misionit të IAL-ve. Pas përcaktimit të kritereve të qarta për çdo IAL, secila prej tyre duhet të jetë e përgjegjshme për të operuar me to në mënyrë plotësisht transparente. Pas konsolidimit të këtij standardi, roli i Komisioni të Vlerësimit të Titujve Akademikë (KVTA) duhet të rikonsiderohet. Me personelin e punësuar rishtas, IAL-të nuk do të lidhin kontrata afatgjata, përderisa të jetë provuar se kandidatët meritojnë një të tillë nëpërmjet performancës së dëshmuar kryesisht në mësimdhënie.

71.
Plani i veprimit përfshin konceptim dhe zhvillim modelesh të ndryshme për ngarkesën e personelit akademik, parimet e të cilave mund të përfshihen në termat e punësimit të tij. Këto terma punësimi do të përfshijnë gjithashtu referenca lidhur me përmirësimin e metodave të mësimdhënies. Si pjesë e marrëveshjes me personelin, që do të realizojë këto përmirësime, do të parashikohen edhe forma nxitjeje financiare. Në këtë mënyrë, pagat do të përfshijnë një komponent, të lidhur me performancën.

3.3 Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe i të nxënit

72. Nevojat e të ardhmes së vendit kërkojnë që të tre ciklet e ofertës akademike të përmbushin kërkesat e Standardeve Evropiane dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane e Arsimit të Lartë. Për momentin, standardet e ofertës akademike shqiptare përgjithësisht nuk e arrijnë ende këtë nivel. Për të përmirësuar cilësinë e ofertës akademike, kërkohet zhvillimi dhe rifreskimi i saj në nivel kombëtar. Në këtë kontekst, do të fuqizohet roli i APAAL-it, në mënyrë që kjo e fundit të operojë me këto standarde , dhe, për më tepër, të garantojë që çdo nismë për hapjen e programeve apo cikleve të reja, të plotësojë kriteret dhe standardet e përcaktuara.

73.
Është gjithashtu e rëndësishme të kultivohet një kulturë më e shëndetshme e cilësisë brenda IALve. Po aq i rëndësishëm është edhe krijimi i klimës së përshtatshme për të luftuar formalizmin dhe fiktivitetin, të vënë re deri tani në këtë lëmi. Në terma formalë, kjo nënkupton përcaktimin e standardeve dhe rritjen përgjegjësive institucionale, për zbatimin e tyre në nivel IAL-je, veçanërisht përsa i përket vlerësimit të brendshëm.

74.
Përsa i përket mësimdhënies, ka dy kategori standardesh cilësie: standarde për metodat e mësimdhënies dhe standarde për përmbajtjen e mësimit. Kërkohet një metodologji e studiuar për t'i zhvilluar ato në nivel kombëtar.

Metodat e mësimdhënies

75. Shqipëria në shekullin XXI, si kudo në Evropë, do të ketë nevojë për njerëz që kanë shprehi fleksibël dhe të adaptueshme të të menduarit, të analizës, krijimtarisë dhe zgjidhjes së problemeve, si në ekonomi ashtu edhe më gjerë për shoqërinë. Sigurimi i këtyre shprehive është ndryshimi i më i rëndësishëm që i nevojitet tërë sistemit të AL. Sigurisht, do të ketë nevojë të vazhdueshme për njohuri specifike profesionale, por shprehitë e përgjithshme do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme dhe, për shumë të diplomuar, do të jenë më me vlerë se njohuritë në drejtime specifike.

76.
Metoda aktuale e mësimdhënies në IAL-të nuk zhvillon shprehi të tilla. Ajo ka më shumë prirjen e "paraqitjes së fakteve", se sa të përdorimit të një metode mësimdhënie ndërvepruese dhe të përqendruar tek studenti. Natyra e marrëdhënieve ndërmjet personelit akademik dhe studentëve nevojitet të ndryshojë, në mënyrë që ajo të jetë ndërvepruese dhe e bazuar në diskutime, në të menduarit dhe zhvillimit të ideve. Kjo është një nga mangësitë më serioze në sistemin e AL - dhe ka të bëjë me të tre ciklet e formimit, si edhe me formimet para-universitare. Për të përmirësuar cilësinë e të mësuarit, ndryshimi më i madh që duhet ndërmarrë, ka të bëjë me metodat. Ky ndryshim është i rëndësishëm për të ardhmen e arsimit dhe në drejtim do të përqendrohen edhe investimet për zhvillimin e burimeve njerëzore në të ardhmen.

77.
Ndryshimi në metodat e mësimdhënies do të jetë një sfidë e vërtetë për një pjesë të madhe të personelit akademik. Ky ndryshim ka të ngjarë të jetë më i vështirë - por edhe më i nevojshëm, për pedagogët e vjetër, të cilët për vite kanë përdorur të njëjtën mësimdhënie dhe ndoshta nuk e kuptojnë nevojën për ndryshim. Është detyra e IAL-ve të gjejnë mënyrat e zhvillimit të burimeve njerëzore dhe plani i veprimit do të kërkojë propozime prej IAL-ve se si do ta realizojnë këtë. IAL-të do të planifikojnë zhvillimin e burimeve njerëzore në këto drejtime:
- Kualifikime jashtë shtetit: Shkëmbimet afatshkurtra të personelit akademik mund të jenë një mënyrë efikase për të zhvilluar shprehitë mësimdhënëse.
- Personeli që kthehet nga jashtë shtetit: Personeli që kryen periudhën e formimit pedagogjik dhe shkencor jashtë shtetit duhet të përhapin përvojën e fituar dhe ta shkëmbejnë atë me kolegët e tyre.
- Kurse afatshkurtër për metodat e mësimdhënies: IAL-të duhet të kenë në vëmendje të vazhdueshme metodat e mësimdhënies dhe të organizojnë sistematikisht kurse afatshkurtra dhe veprimtari për shkëmbim përvoje në nivel IAL-je, rajonal e kombëtar.
- Reagimi nga studentët: Studentët janë përgjithësisht gjykues të mirë të mësimdhënies, ndonëse ata kanë nevojë të trajnohen për aspekte specifike të vlerësimit të saj si dhe për mënyrën e strukturimit të formulimit të opinioneve të tyre. Është e rëndësishme të evitohet dukuria e dhënies prej tyre të vlerësimeve pozitive për pedagogët më pak kërkues.
- Menaxhimi i performancës së personelit akademik: Sipas ligjit të AL (2007), IAL-të duhet të ngrenë sistemet e tyre zhvillimit të performancës për personelin akademik, pjesë e rëndësishme e të cilit do të jetë vlerësimi i metodave të mësimdhënies. IAL-të do të kërkojnë mekanizma të përshtatshëm, që performanca e mirë të shpërblehet edhe financiarisht.
- Kriteret e promovimit: Për të gjitha IAL-të, kriteret e promovimit duhet të përfshijnë performancën e mësimdhënies, ndonëse pesha që do t'i jepet asaj do të jetë e ndryshme në përputhje me misionin e IAL-së. Kjo peshë duhet të jetë maksimale për ato IAL, që kanë për mision kryesor mësimdhënien.

78.
Plani i veprimit do të përfshijë fonde të veçanta investimi për IAL-të që të zhvillojnë një nga metodat e përmendura (përfshirë edhe atë të marrjes së opinionit të studentëve) për përmirësimin e mësimdhënies. APAAL-i t'i kushtojë vëmendje më të madhe vlerësimit të metodave dhe stilit të mësimdhënies në procesin e sigurimit të cilësisë. Rezultatet e këtij vlerësimi do të ndikonin në shpërndarjen e numrit të studentëve në fakultete dhe në financimet për to.

Përmbajtja e mësimdhënies

79. Përmbajtja e mësimdhënies, krahas metodave të mësimdhënies, lipset të përditësohet me të rejat më të fundit për shekullin XXI - dhe brenda Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, që të përputhet me kuadrin e përgjithshëm të HEAL-it. IAL-të janë vënë në lëvizje për të adoptuar një përqasje modulare dhe sistem të transferimit të krediteve për kurset e studimit, që është ndër prioritetet e Procesit të Bolonjës. Por në këtë drejtim IAL-të nuk kanë shkuar më larg se një ripaketim i programeve ekzistuese dhe nuk kanë lëvizur drejt qasjes së "rezultateve të të nxënit", sikurse parashikohet nga Marrëveshja e Bergenit. IAL-të duhet të kuptojnë se sistemi i modularizimit dhe i transferimit të krediteve nuk bëhet për qëllime administrative, por për të përfituar studentët. Ky sistem synon zgjerimin e shanseve për studentët, duke u siguruar atyre zgjedhje reale dhe mundësi transferimi, si brenda institucionit ashtu edhe mes IAL-ve. Me qëllim që të ketë përfitime për studentët dhe në kuadrin e përmbushjes së kërkesave të Deklaratës së Bolonjës, plani i veprimit parashikon që IAL-të të zhvillojnë modularizimin dhe një sistem transferimi të krediteve. Ky duhet të jetë i konceptuar në mënyrë të tillë që t'u mundësojë studentëve ndjekjen e kurseve brenda IAL-së së tyre, ose edhe në IAL të tjera. Plani i Veprimit parashikon që APAAL-i të raportojë për progresin në këtë drejtim.


80.
Programet e studimeve ndërdisiplinore, të tilla si "Inxhinieri menaxhimi" apo "Inxhinieri mjedisore" do të bëhen të rëndësishme në të ardhmen. Përgatitja e programeve të tilla është shumë më e lehtë me një sistem modular transferimi kreditesh. Ato nuk kërkojnë struktura apo degë të reja, por do të krijohen si veprimtari e përbashkët mes dy fakulteteve ose edhe mes IAL-ve. Personeli akademik parashikohet të punojë në të dy fakultetet për programe të tilla, si pjesë normale e detyrës së tyre në mësimdhënie. Për të hartuar kurse të tilla do të nevojitet një forum brenda IAL-ve që të diskutojë dhe zhvillojë idetë; kjo do të jetë pjesë e përgatitjes së planeve në IAL. Do të jetë me dobi për IAL-të t'u drejtohen për ndihmë universiteteve të huaja për të zhvilluar kurse ndërdisiplinore. Institucionet vendimmarrëse do të mbështesin aktivisht zhvillimin e programeve të tilla. Plani i veprimit do të përcaktojë nëse kjo mund të kryhet nëpërmjet metodologjisë së financimit dhe/ose nëpërmjet një fondi të veçantë nismëtar.

81.
Familjarizimi me njohuritë dhe shprehitë për teknologjinë informatike e të komunikimit dhe gjuhën angleze do të jenë të rëndësishme për studentët e të ardhmes. IAL-të pritet të bëjnë përgatitjet në këto aspekte, dhe disa IAL rajonale mund të kenë nevojë të "blejnë" prej jashtë institucionit (p.sh., nga universitete të tjera ose institucione private). Plani i veprimit parashikon të përfshihen fonde nxitëse për të siguruar këto kushte.

82.
Në disa lëndë kurrikulat e mësimdhënies janë të vjetruara, sidomos në shkenca; ndonjëherë kjo është rezultat i pajisjeve që u ka kaluar koha dhe/ose për shkak se personeli akademik nuk është i përditësuar me zhvillimet e sotme. Ka një prirje për përmirësimin e gjendjes, duke filluar nga pajisjet, kryesisht të natyrës kompjuterike. Por, nevojitet informacion objektiv dhe i detajuar për gjendjen aktuale përpara se të identifikohen nevojat në tërësi. Plani i veprimit parashikon që të çdo IAL, si pjesë e procesit të vlerësimit të personelit akademik, sikurse përcaktohet në ligj, të evidentojnë përmbajtjen e vjetruar të mësimdhënies dhe mbi këtë bazë të programojnë dhe realizojnë trajnimin e nevojshëm të personelit.

83.
Bashkë me zhvillimin e vendit, edhe nevojat e tregut të punës do të ndryshojnë me ritme më të shpejta se më parë. Kjo do të thotë se shumë njerëz do të kenë nevojë t'i kthehen të nxënit në momente të caktuara të jetës së tyre, p.sh., me kurse të shkurtra verore ose kurse mbrëmjeje. Mundësitë për "të nxënit gjatë gjithë jetës" janë të kufizuara për momentin, pjesërisht për shkak të kërkesës së ulët, por edhe për arsye se nuk ekzistojnë mekanizma nxitës për IAL-të që të ofrojnë shërbime të tilla. Parashikohet që kjo kërkesë të rritet dhe do të mbështetet krijimi i kushteve për realizimin e saj. Grupi për studimet me kohë të pjesshme dhe "të nxënit gjatë gjithë jetës", do të përcaktojë në detaje ecurinë
dhe hapat e realizimit të këtyre kurseve.

Trajnimi i mësuesve në shkolla

84. Cilësia e shërbimeve të trajnimit të mësuesve është kryesore për të ardhmen e vendit. Çështjet e mësipërme për nevojën e ndryshimit të stilit dhe metodave të mësimdhënies zbatohen shumë më mirë në përgatitjen e mësuesve se në çdo formim tjetër në IAL. Është shumë më tepër e rëndësishme që metodat e reja të mësimdhënies të përdoren nga personeli i fakulteteve të mësuesisë, pasi studentët e tyre do të jenë mësuesit e ardhshëm në shkolla, ku atyre do u duhet të adoptojnë të njëjtat metoda të mësimdhënies, me qëllim që të zhvillojnë te nxënësit shprehitë e të menduarit të nivelit të lartë.

85.
Në lidhje me përgatitjen fillestare të mësuesve për arsimin bazë, përqasja aktuale me kurrikula "bërthamë" ka ç uar në mbingarkesë për studentët. Studentëve në këtë program studimi, u zhvillohen lëndë që nuk do t'u duhen në të ardhmen si mësues, dhe, për pasojë ata mbingarkohen me shumë orë mësimi dhe pak praktikë. Parashikohet që kjo të ndryshojë duke synuar që përgatitja fillestare e mësuesve të arsimit bazë të realizohet në ciklin e parë të studimeve. Gjatë këtij cikli studimesh, do të zhvillohet përmbajtja e lëndëve dhe pedagogjia e nevojshme për formimin e një mësuesi të arsimit bazë. Ky model është i realizuar me sukses në vende të tjera të Evropës dhe është në përputhje me Procesin e Bolonjës, Për më tepër, qeveria si punëdhënësi kryesor i mësuesve të kualifikuar, është e arsyeshme që të përcaktojë se çfarë kërkesat ndaj mësuesve si dhe të specifikojë kurrikulën bërthamë për përgatitjen e tyre.

86.
Plani i veprimit do të përfshijë ngritjen e një Grupi për Përgatitjen Fillestare të Mësuesve për hartimin e udhëzimeve të qarta lidhur me një kurrikul bërthamë. Ajo do të ketë përmbajtje të reduktuar të lëndëve, duke mënjanuar çështje të panevojshme dhe do t'i japë rëndësi formimit pedagogjik me më shumë theks te shprehitë bazë, TIK dhe gjuhë angleze. Ky Grup do të hartojë rekomandime edhe për raportin minimal të kohës që studentët duhet të shpenzojnë për praktikën e mësimdhënies në klasat e shkollës, i cili duhet të jetë më i lartë se nivelet aktuale. Në të njëjtën kohë do të përgatiten edhe rekomandimet për mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të studentëve në shkollë nga tutorët e tyre të IAL-së, që duhet të jetë më e vlerësuar se deri tani.

87.
Përgatitja fillestare për mësuesit e shkollave të mesme do të kryhet mbi një model 3+N, ku 3 vitet e para do të jenë cikli i parë mbi një lëndë të veçantë, por me fleksibilitetin modular për të studiuar më shumë se një lëndë. Pjesa '+N' do të jetë në mënyrë të veçantë mbi pedagogjinë e mësimdhënies në shkollat e mesme; ajo do të jetë e detyrueshme për ata që dëshirojnë të japin mësim në këto shkolla. Pjesa '+N' do të jetë "degë" e veçantë në Fakultetin e Edukimit që do të ngrihet i ri. Vlera e 'N' do të jetë 1 ose 2 vjet. Ky grup do të përgatitë sugjerime edhe për sasinë minimale të praktikës mësimdhënëse që duhet të realizojnë studentët në shkolla.

88. Universiteti i Tiranës duket se aktualisht ka kapacitetet më të mëdha për të ofruar pjesën pedagogjike '+N'. IAL-të e tjera, që dëshirojnë të ngrenë fakultetet e tyre të edukimit për të zhvilluar pjesën "+N", do të jenë në gjendje ta bëjnë, nëse përmbushin kriteret kombëtare të përcaktuara nga KALSH-i, bazuar në rekomandimet e APAAL-it. Studentët e diplomuar të çdo IAL që dëshirojnë të bëhen mësues të shkollave të mesme, mund të aplikojnë për të hyrë në çdo Fakultet Edukimi që ofron +N. Plani i veprimit do të sugjerojë mënyra për Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Tiranës që të japë asistencë pedagogjike për IAL-të rajonale të cilat ofrojnë përgatitjen e mësuesve për arsimin bazë 3+0.

89.
Ka disa nisma për të përmirësuar dhe koordinuar trajnimin në shërbim, të cilat synojnë të përmirësojnë veprimtarinë mësimdhënëse të mësuesve në shkolla. Në këtë kuadër parashikohet të ngrihet një sistem vlerësimi për veprimtarinë mësimdhënëse të mësuesve, përmes të cilit do të përcaktohen nevojat e tyre për trajnim. Plani i veprimit do t'i japë të njëjtin prioritet zhvillimit të përgatitjes fillestare si dhe trajnimit në shërbim.

90. Aktualisht asnjë nga IAL-të nuk siguron kushte për trajnim në shërbim të mësuesve. Kjo është një mundësi e humbur, si për kombin ashtu edhe për IAL-të. Në Planin e veprimit parashikohet që të rritet niveli i financimit për trajnimin në shërbim dhe të ndryshojë mënyra e financimit të këtij trajnimi. Metoda e re do të jetë më afër tregut të punës, ku fondet publike u bëhen të disponueshme përfituesve të trajnimit dhe jo ofruesve të këtij shërbimi. Fillimisht, fondet publike do t'u jepen rajoneve që do të veprojnë si "klientë" në emër të shkollave të tyre. Më pas, kur shkollat të jenë gati për këtë përgjegjësi, fondet do t'u jepen drejtpërdrejt atyre që mund të "blejnë" nga çdo ofrues i akredituar, trajnimin për të cilin kanë nevojë. Kjo procedurë e re financimi do të jetë një motivim i fortë financiar për IAL-të që të hyjnë në "treg" duke ofruar trajnime të tilla.

3.4 . Qeverisja bashkëkohore
Autonomia, përgjegjshmëria dhe menaxhimi

91. Për t'iu përgjigjur sfidave të ndryshimeve të shpejta në shoqëri dhe ekonomi, IAL-të bashkëkohore kanë nevojë për një autonomi të arsyeshme nga qeveria. Ligji i AL (2007) shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së autonomisë së IAL-ve, ndonëse nuk i shndërron ato tërësisht nga institucione shtetërore në publike. Plani i veprimit vendos detyra për hartimin e orientimeve kryesore për IAL-të se çfarë duhet të bëjnë ato për të qenë në përputhshmëri me ligjin e AL (2007). Çdo IAL do të përgatisë planin e saj strategjik 5-vjeçar, mbështetur në synimet dhe orientimet e kësaj Strategjie.

92.
Synimi afatgjatë është që çdo IAL të bëhet plotësisht autonome dhe të funksionojë si institucion publik. Autonomia për IAL-të do të mbështetet në katër kolona dhe konkretisht në:
- autonominë akademike - që nënkupton liritë akademike të individëve dhe atë të institucionit, që ky i fundit të mund të hartojë kurrikula novatore, përmbajtje të reja të lëndëve dhe, në kuadrin e Sigurimit të Cilësisë dhe kushtëzimeve financiare, të vendosë për hapjen apo mbylljen e degëve dhe të formimeve. Kjo gjë do të ndikojë në përcaktimin e numrit të studentëve sipas fakulteteve për çdo IAL;
- autonominë strukturore - që nënkupton se IAL-të do të përcaktojnë strukturat e tyre të brendshme(fakultete, departamente, etj.) dhe do t'i përshtatin ato në përputhje me ndryshimet e rrethanave dhe të